VLEN: BDI sot po e instrumentalizon pakënaqësinë e studentëve, ata e kanë lënë këtë problem

Koalicioni VLEN ka reaguar lidhur me protestat e studentëve për të drejtën që të diplomuarit në juridik të japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Ata e konsiderojnë të drejtë shprehjen e pakënaqësisë së studentëve dhe theksojnë se po punohet aktualisht për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme, ligjore dhe institucionale për këtë problem.

“Kur studentët dalin në protestë, kjo flet më shumë për dështimin e atyre që për vite kishin pushtetin, sesa për ata që sot po punojnë për të gjetur zgjidhje. BDI sot po e instrumentalizon pakënaqësinë e studentëve dhe po përpiqet të përfitojë politikisht nga një problem që vetë e ka lënë zvarrë. Kjo është skandaloze.

Kishte ministra, institucione, mekanizma dhe gjithë pushtetin e nevojshëm për ta mbyllur këtë çështje njëherë e mirë. Nuk e bëri. Jo pse nuk mundi, por sepse ishte e zënë me hajni, me Soravi, me blerje pronash dhe me pazare për llogari të klikës së vet. VLEN e konsideron protestën e studentëve si shprehje legjitime ndaj një padrejtësie që nuk duhej të zgjaste kaq shumë. Zëri i tyre duhet dëgjuar, jo të përdoret si vegël propagandistike nga ata që vetë e krijuan problemin.

Ne nuk do të bëjmë atë që është bërë për vite me radhë. Të flitet shumë dhe të mos zgjidhet asgjë. Për çështjen e mundësisë që të diplomuarit në juridik ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, tashmë po punohet seriozisht për një zgjidhje të qëndrueshme, ligjore dhe institucionale. Jo arnim. Por zgjidhje”, thonë nga VLEN.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu