Maqedonia e Veriut po rikthehet në fokusin e investitorëve të huaj, vlerësohet nga përfaqësues të Qeverisë pas pjesëmarrjes në një panel ndërkombëtar për investimet e huaja të mbajtur në Berlin. Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, dhe ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, prezantuan para bizneseve dhe partnerëve ndërkombëtarë reformat që aktualisht po zbatohen në vend.
Gjatë diskutimeve, u theksua se digjitalizimi, modernizimi industrial, nxitja e inovacionit dhe forcimi i kapitalit njerëzor po krijojnë një klimë ekonomike më të parashikueshme dhe transparente. Sipas ministrave, këto reforma janë në linjë me angazhimet për të ngritur standardet e qeverisjes dhe për të afruar vendin me praktikat evropiane.
Një nga pikat kryesore të prezantuara ishte modeli i ri i mbështetjes financiare që do të hyjë në fuqi në vitin 2026, i cili synon t’i orientojë investimet drejt sektorëve me vlerë të shtuar dhe punësimeve cilësore.
Sipas përfaqësuesve qeveritarë, këto zhvillime po reflektohen në rritjen e interesit të investitorëve të huaj dhe në forcimin e besimit ndërkombëtar. Ata theksuan se qasja qeverisëse është e fokusuar në qytetarin dhe në garantimin e një perspektive të barabartë për të gjithë qytetarët.










