Në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve u mbajt tërheqja për renditjen në fletën e votimit të kandidatëve për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 19 tetor, përcjell TV21. E para në fletën e votimit do të jetë koalicioni “Eksperiencë për sukses”, në vend të dytë ZNAM për “Maqedoninë tonë”, e treta Partia Demokratike e Serbëve në Maqedoni, në vend të katërt koalicioni “Aleanca Kombëtare për Integrim” e udhëhequr nga BDI, në vend të pestë koalicioni për zgjedhjet lokale i udhëhequr nga LSDM, në vend të gjashtë Levica, e shtata koalicioni VLEN, në vend të tetë koalicioni “Për një të ardhme të gjelbër”, dhe në vend të 9 koalicioni “Maqedonia Jote” i udhëhequr nga VMRO-DPMNE.
Këto janë vendet që zënë partitë dhe koalicionet parlamentare, ndërsa partitë që nuk janë pjesë e përbërjes parlamentare do të zënë pozicionet nga 10 deri në 33, ndërsa kandidatët e pavarur janë në listë me numra nga 34 deri në 153. Ndryshe, fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale fillon të hënën më 29 shtator dhe përfundon më 17 tetor. Më 18 tetor është heshtje zgjedhore, ndërsa qytetarët do të zgjedhin kryetarë komunash dhe këshilltarë më 19 tetor. Rrethi i dytë i zgjedhjeve, aty ku do të ketë nevojë, do të mbahet më 2 nëntor.