VLEN: Kur do të përgjigjeni për Monstrën, Almirin, Lagjen e Trimave e Car Dushanin?

VLEN përmes një komunikate i ka bërë thirrje BDI-së se kur do të përgjigjen për Monstrën, Almirin, Lagjen e Trimave e Car Dushanin?

Ja komunikata e plotë:

“Bashkimi Demokratik për Integrim nuk mund të fshihet përgjithmonë pas fjalëve “patriotizëm”, “dinjitet” dhe “e ardhme”, duke lënë pas tragjedi të pandëshkuara, afera të pazgjidhura dhe pasurim imoral.
Sot, VLEN i bën publikisht pyetje BDI-së:
A është patriotizëm të heshtësh për Monstrën, ku shqiptarët u shpallën terroristë pa prova?
A është patriotizëm të mos japësh dorëheqjen pas ngjarjeve në Lagjen e Trimave, ku 10 shqiptarë u vranë në një aksion të dyshimtë policor?
A është patriotizëm të injorosh rastin Alfa, ku shqiptarët u dënuan në një proces që i ngjan një montimi klasik?
A është patriotizëm heshtja për vrasjen e Almirit të vogël, ku gjykata e quajti “aksident trafiku”, dhe ju nga BDI heshtnit?
A është patriotizëm enciklopedia që qeveria juaj e shtypi?
A është patriotizëm që i lejuat fëmijët të mësonin nga librat shkollorë me histori të shtrembëruar shqiptare?
A është patriotizëm Shkupi 2014, pa asnjë element shqiptar?
A është patriotizëm monumenti i Car Dushanit përpara Sheshit?
A është patriotizëm tragjedia me spitalin modular, pa asnjë dorëheqje?
A është patriotizëm Durmo Tours dhe Besa Trans, ku vdiqën dhjetëra e dhjetëra shqiptarë, pa drejtësi, pa llogaridhënie?
A është patriotizëm fakti që Artan Grubi është në listën e zezë të SHBA-së, për shkak se është i lidhur me njerëz që përndoqën dhe maltretuan shqiptarët?
BDI nuk duhet të largohet më nga këto pyetje.
Shqiptarët nuk e meritojnë një parti që ndërton pronën, karrierën dhe të ardhmen e saj në kurriz të tragjedive të tyre.
BDI duhet të përgjigjet:
A është injorimi i këtyre problemeve përkufizimi i tyre i patriotizmit?
A është pasurimi personal vizioni i tyre i dinjitetit?
A është heshtja përgjigja e tyre ndaj dhimbjes së popullit?
Koha e heshtjeve ka mbaruar.
Tani është koha për përgjegjësi, llogaridhënie dhe drejtësi.
Shqiptarët nuk janë vegla për kolltukët e dikujt, ata janë një popull që meriton të vërtetën dhe një të ardhme.” thone nga VLEN./InfoShqip.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu