VLEN nuk do të garojë me kandidatët e njëjtë në Gostivar dhe Vrapçisht , emrat e kandidatëve të rinj nuk konfirmohen akoma

VLEN së shpejti do të duhet të vendosë edhe për emrat e kandidatëve për kryetar komune në zgjedhjet e përsëritura në Gostivar dhe Vrapçisht. Sipas Izet Mexhitit, për emrat konkret do të vendoset së shpejti pas festave të nëntorit. Ajo që konfirmohet me siguri është që kandidatët nuk do të jenë të njëjtit si më 19 tetor.

“Besoj që pas festave do të dihen edhe emrat konkret për Gostivar dhe Vrapçishtë. Planifikoni të shkoni me të njëjtit kandidatë? Jo nuk do të shkojmë me të njëjtit por për emrat nuk është vendosur ende”, u përgjigj Izet Mexhiti, VLEN.

BDI-ja ditë më parë konfirmoi mbështetjen për kandidatët e koalicionit AKI të cilët garuan edhe më 19 tetor në Gostivar dhe Vrapçisht. Të dy janë nga radhët e ASH-së së Arben Taravarit.

“BDI riafirmon se do të angazhohet me të gjitha kapacitetet politike, organizative dhe njerëzore për t’i çuar drejt fitores këto dy kandidatura”, thonë nga BDI.

Duke qenë se para dhe pas kongresit të dhjetorit në BDI priten më shumë vendime të rëndësishme për të ardhmen e partisë por edhe të koalicionit, pritet që edhe vendimet që kanë të bëjnë me zgjedhjet lokale të vulosen po në atë periudhë.

Zgjedhjet për kryetar komune do të përsëriten edhe në Mavrovë-Rostushë ku më 19 tetor u përballen dy partitë maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM, si dhe në Qendër Zhupë ku më 19 tetor u përballën Partia Demokratike e Turqve, Partia për Lëvizjen e Turqve dhe Lëvizja për Bashkim Nacional të Turqve.

Listat e kandidatëve për kryetar dorëzohen në KSHZ deri më 11 dhjetor. /Alsat.mk


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu