VMRO shpall veten fituese në zgjedhjet parlamentare dhe bën paralajmërimin e fortë

Ende pa u mbajtur zgjedhjet parlamentare, më 8 maj, VMRO DPMNE-ja e ka shpallur veten fituese të këtyre zgjedhjeve, ndërsa tashmë ka përcaktuar edhe partitë që do të jenë pjesë e Qeverisë së re.

Bazuar në rezultatet e rundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, më 24 prill, që e nxorën fituese absolute kandidaten e VMRO-së për presidente, Gordana Silanovska-Davkova, kreu i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, ka thënë se partia që ai drejton do të jetë fituese e dyfishtë e zgjedhjeve më 8 maj.

Ai në të gjitha tubimet partiake dhe në paraqitjet para mediave, ka thënë se Qeveria e re do të formohet nga VMRO DPMNE-ja dhe koalicioni VLEN që përbëhet nga partitë opozitare shqiptare.

Në zgjedhjet e 24 prillit koalicioni opozitar shqiptar me 83.000 votat e fituara është radhitur pas Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) që mori 121.000 vota, por pavarësisht kësaj, Mickoski ka thënë se BDI-ja do të kalojë në opozitë.

Sipas tij, në qeveri nuk do të ketë vend për “njerëz të përfshirë në krim dhe korrupsion”, të cilët, siç është shprehur Mickoski, pas 8 majit do të përgjigjen për të gjitha aferat korruptive.

“Për VMRO DPMNE-në qëndrimet dhe përcaktimet janë shumë të qarta. Nuk dua të flas me emisarët që [Ali Ahmeti] i dërgon çdo ditë për koalicion me VMRO DPMNE-në. BDI-ja për mua është kapitull i përfunduar dhe do të shkojë në opozitë”, ka deklaruar Mickoski.

Ai, gjithashtu, ka akuzuar BDI-në për “hipokrizi” se në njërën anë aktron patriotizëm, ndërsa në anën tjetër dërgon “emisarë” për t’u bërë pjesë e Qeverisë së re, sipas Mickoskit.

Ndërkohë, edhe përfaqësues të koalicionit VLEN, kanë thënë se do të jenë pjesë e Qeverisë së re dhe, madje, kanë dalë edhe me pozitat që do t’i kenë.

Ata kanë thënë se janë “përfaqësues legjitimë të shqiptarëve” për dallim nga BDI-ja, e cila, sipas koalicionit opozitar, në zgjedhje mori pjesë në koalicion me pesë parti të bashkësive tjera etnike.

“Duke qenë garuesit e vetëm në kampin politik shqiptar dhe, natyrisht, fitues të këtij blloku, ne jemi edhe përfaqësuesit e vetëm dhe legjitimë të shqiptarëve në këto zgjedhje. Rrjedhimisht, kjo na obligon që t’i përfaqësojmë shqiptarët edhe në qeverinë e ardhshme, ku – pos tjerash – do të drejtojmë institucione të rëndësishme të Punëve të Brendshme, që janë përgjegjëse për sanksionimin e krimit dhe korrupsionit, për ta luftuar kështu fuqishëm dhe drejtpërdrejt krimin dhe korrupsionin shumëvjeçar”, ka deklaruar Afrim Gashi, një nga drejtuesit e koalicionit VLEN.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim, në paraqitjet para mediave mbeten në qëndrimin se pjesëmarrjen në Qeveri të një partie nuk e përcakton Mickoski, por votuesit në zgjedhje.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka porositur përfaqësuesit e koalicionit VLEN që të mos bëjnë gabimin, që, sipas tij, e kishte bërë, Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) e Menduh Thaçit në vitin 2006 kur hyri në Qeveri pa votat e elektoratit shqiptar.

“Opozitarët shqiptarë do të bënin mirë që të mos bëjnë gabimet që i ka bërë kolegu im i mëhershëm. Në vitin 2006 u bë një gabim dhe koston e pagoi partia e atëhershme [PDSH]”, ka deklaruar Ahmeti.

Në Maqedoninë e Veriut deri në vitin 2017 ka pasur një rregull të pashkruar, që qeveritë formohen nga partitë fituese shqiptare dhe maqedonase, pavarësisht orientimeve të tyre programore.

Bashkimi Demokratik për Integrim, si fituese e zgjedhjeve te shqiptarët ka qenë pjesë e Qeverisë, si me LSDM-në, ashtu edhe me VMRO DPMNE-në që fitonin zgjedhjet tek elektorati maqedonas.

Ky rregull ka vazhduar deri në vitin 2017 kur Qeveria u formua nga LSDM-ja edhe pse i kishte humbur zgjedhjet tek elektorati maqedonas.

Ajo arriti të përbëjë shumicën parlamentare me votat e partive shqiptare dhe të formojë Qeverinë duke larguar nga pushteti VMRO DPMNE-që drejtohej nga Nikolla Gruevski.

Pas kësaj, VMRO DPMNE-ja disa herë ka bërë të ditur se rregulli “fituesi me fituesin” më nuk do të vlejë./REL


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu