Edhe pse prej nesër në Maqedoni fillon një vikend i vazhduar për shkak të festave të Pashkëve, deputetët e VMRO-së nuk do të lëshojnë Maqedoninë. Burime partiake thonë se një vendim të tillë kanë marrë sepse frikohen që LSDM opozitare dhe partitë shqiptare do të bëjnë konstituimin dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Kryesuesi aktual i Kuvendit Trajko Veljanovski ka ndërpre të mërkurën seancën konstituive duke caktuar vazhdimin e saj të martën, javën e ardhshme. Mirëpo duke pasë parasysh se opozita dhe partitë shqiptare nuk e njohin Veljanovskin si kryesues legjitim, në VMRO-DPMNE ekzistojnë dyshime se shumica “67+2” mund të mbledhet papritmas gjatë këtyre ditëve festive dhe të bëjë konstituimin e Kuvendit.
Burime partiake kanë thënë se për të penguar ndonjë skenar të tillë eventual, gjatë këtyre ditëve festive në Kuvend do të kujdestarojnë “sigurimsat e Kuvendit që janë më lojalë ndaj VMRO-DPMNE-së”. Zyrtarisht nuk ka ndonjë koment lidhur me këto informacione.
Në ndërkohë, nga LSDM-ja sërish kanë premtuar se se kan plan për zhbllokimin e procesit për zgjedhjen e kryetarit të ri të institucionit ligjvënës dhe votimin e Qeverisë së re. Sipas tyre, shumica e re deri tani është sjellë në mënyrë të arsyeshme kurse askush nuk do të mund të pengojë hapin e ardhshëm të tyre, si grup i koordinuar prej 67 deputetësh.
“Kemi edhe plan dhe strategji dhe në një kohë shumë të shkurtër, shumica në Kuvend do ta marrë përgjegjësinë dhe detyrimin edhe për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit edhe për zgjedhjen e Qeverisë së re reformuese dhe vlerësojmë se kjo është gjëja më e mirë edhe për qytetarët. Planin nuk mund ta bëjmë publik në këtë moment, në interes të të gjithë qytetarëve por ajo që ne do të bëjmë është në përputhje me Kushtetutën, me rregullativën ligjore dhe rregulloren e Kuvendit”, deklaroi Lupço Nikollovski, LSDM.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i VMRO-DPMNE-së e cila po ashtu me fjalët e njëjta, kundërshton kërkesat e përbashkëta të partive shqiptare, formimin e Qeverisë së re dhe çdo iniciativë të mundshme të shumicës së re.
“Populli nuk lejon as formimin e Qeverisë tiranase dhe as realizimin e platformës tiranase. Popullit nuk i interesojnë faturat e Zaevit. Për këtë LSDM-ja është në panik. LSDM-ja është e vendosur që faturat e saj t’i paguajë me shitjen e interesave më të larta shtetërore. Për këtë populli është në këmbë. Populli po zgjohet”, thanë nga VMRO-DPMNE.
Partia e Gruevskit kërkon zgjedhje të reja, alternativë kjo e hedhur poshtë nga të gjithë partitë tjera parlamentare. Për tre javë rresht, deputetët nuk arritën të votojnë për Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime dhe për Kryetarin e ri të Kuvendit, pika të cilat shumë pak kanë qenë temë debati. Kryefjalë e debatit ka qenë e ashtuquajtura “platformë e Tiranës”, formimi i Qeverisë së re, akuzat për krim të organizuar mes palëve dhe tema tërësisht dytësore për seancën. Lista e deputetëve të paraqitur për fjalime edhe më tej mbetet e gjatë kurse nuk kanë pasur fund replikat dhe kundër-replikat, kryesisht mes deputetëve të VMRO-DPMNE-së të cilët nuk e mohojnë se kjo është një strategji për pengimin e vazhdimit të seancës.










