Viola von Cramon, raportuesja e Kosovës në Parlamentin Europian, ka mbajtur një fjalim në seancën plenare teksa ka folur rreth liberalizimit të vizave. Ajo ka bërë thirrje që të bëhet liberalizimi i vizave për Kosovën, pasi në të kundërtën po humbim besimin tek qytetarët e Kosovës.
“Nëse nuk i përmbushim premtimet tona, ne do të humbasim kredibilitetin dhe besimin. Është koha e duhur që Këshilli ta mbajë më në fund premtimin për liberalizim të vizave. ; Unë absolutisht ndaj frustrimin e qytetarëve të Kosovës, do të doja që Parlamenti Evropian të mund të vendos për këtë çështje”, pohoi ajo.
Raporti saj në Parlamentin e Evropës gjithashtu inkurajon Kosovën të vazhdojë reformat e brendshme, transmeton Telegrafi.
“Raporti gjithashtu inkurajon Kosovën të bëjë më shumë përpjekje për çështje të ndryshme të brendshme dhe lokale. Midis tyre tema si ndryshimi i klimës, politika arsimore, dhuna me bazë gjinore, për të përmendur vetëm disa … qeveria e Kosovës duhet të kalojë reformat dhe zbatojë ato vazhdimisht”, shkroi ajo në Twitter.
Gjithashtu ka pohuar se Kosova do të humbte shumë nëse nuk do të arrinte një marrëveshje me Serbinë.









