Sot, për të dytën ditë me radhë ka vazhduar numërimi i votave të ardhura me postë nga jashtë Kosovës.
Sipas rezultateve të deritashme të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, votat e mërgimtarëve kanë ndryshuar renditjen e kandidatëve në Mitrovicë.
Procesi i numërimit të votave nga diaspora, i cili nisi pasditen e së premtes, nuk e ka ndryshuar fatin e komunës së Gjilanit, Dragashit apo Junikut.
Votat e diasporës kanë konfirmuar se Gjilani do të shkojë në balotazh.
Nga numërimi i 85% të votave të ardhura nga jashtë Kosovës, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni është renditur i pari me 51.77%, por pa arritur të sigurojë mbi 57% të tyre, sa i duheshin për të fituar garën në rundin e parë.
Kurse në Mitrovicë, votat e diasporës e kanë ndërruar renditjen.
Sipas rezultateve preliminare nga Qendrat Komunale të Numërimit, Tahiri i PDK-së ishte i pari me 40 vota diferencë karshit Pecit.
Tahiri pati 15.393 vota, ndërsa Peci 15.353 vota.
Nga votat e diasporës, kandidati i LVV-së ka marrë 392 vota, ndërsa ai i PDK-së 236.
Në total, Peci tash ka 15.745 vota, kurse Tahiri 15.629 vota.
Me këtë rezultat Faton Peci kryeson me 116 vota.E nëse ka një komunë që rezultatet e diasporës zor se do të sjellin ndryshim, është ajo e Prishtinës.
”Aktualisht me votat dhe diferencën aktuale, pa i llogaritur votat me kusht, i duhet që kandidati i LDK – Përparim Rama të fitojë afërsisht 15% të votave të diasporës që matematikisht, ta sigurojë vendin e parë. Nëse nuk arrin ta sigurojë këtë numër dhe partitë e tjera fitojnë më shumë, ekziston mundësia që Hajrulla Çeku të jetë i pari ani pse praktikisht është e pamundur”, ka thënë për Tv Dukagjinin Eugen Cakolli – hulumtues i lartë në KDI.
Fitoren në Shtime e ka siguruar kandidati i VV-së, Qemajl Aliu ka marrë 51.63%, kurse kandidati i PDK-së, Përparim Ramusa 35.15% të votave.
Numërimi i votave nga diaspora ka përfunduar edhe në Junik me ç’rast 50.97% e tyre janë për Ruzhdi Shehun e LDK-së, me pasues Agron Kuçin, i cili mori 35.34%
Kurse në Dragash, Bexhet Xheladini LDK-së ka marrë mbi 55% të votave të diasporës, ndërsa kandidati i PDK-së Shaban Shabani 25.43%.
Votat e diasporës ia kanë siguruar edhe një mandat kryetarit aktual të Hanit të Elezit, që vjen nga radhët e PDK-së.
Nga dy kuti votimi, sa janë nga Hani Elezit, njëra është numëruar ku Mehmet Balazhi i PDK-së ka marrë 84 vota, derisa Rufki Suma vetëm 55. Ballazhi ka udhëhequr garën edhe nga rezultatet preliminare me 50.96% të votave.