Partia Progresive Serbe (Srpska Napredna Stranka) e Aleksandar Vucic dhe Partia Socialiste Serbe (Socijalistička partija Srbije) e Ivica Dacic në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi dalin ndaras, ka njoftuar zëvendës kryetari i partisë progresive Milos Vucevic, por nuk e përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit në zgjedhjet lokale.
Në mediat e afërta me Vucic janë shfaqur disa lajme që me kujdes kanë nisur kritikat ndaj Dacic dhe gafave të tij në diplomaci kohëve të fundit.
Milos Vucevic këtë lajm ja ka transmetuar agjencisë së lajmeve serbe Tanjug sot pas takimit të përfaqësuesve të të dy partive.
“Duke respektuar identitetin politik si të SNS dhe SPS dhe duke ditur ndikimin politik të dy partive, jemi pajtuar që të dy partitë të shkojnë në zgjedhjet e ardhshme ndaras, përkatësisht secila me listë të veten, me pajtimin për gatishmërinë që pas zgjedhjeve të bisedojmë rreth vazhdimit të bashkëpunimit, pikërisht për çështje që i kemi biseduar, duke pasur parasysh analizën e rezultateve në mandatin paraprak” tha Vucevic.
Ai shtoi se dalje me listë të përbashkët në vende të caktuara në zgjedhjet lokale.
Përgatitjet për zgjedhje parlamentare në Serbi kanë ngjallur debat të rëndë në Serbi me akuza e kundër akuza mes pozitës dhe pozitës serbe. Dominimi i Vucic në shoqërinë serbe, posaçërisht në media, që është edhe njëra prej kritikave kryesore të Komisionit Europian për Serbinë, ka shtyrë opozitën serbe të kërcënoj me bojkot të zgjedhjeve. Çështje tjetër që nxiti debat ishte edhe ulja e pragut nga 5 për qind në 3 për qind.
Bashkësia ndërkombëtare ka ndërmjetësuar përmes OSBE’së që të zbusë situatën dhe të bindë opozitën serbe të hyjë në garë. Ndërkombëtarët kanë këshilluar që opozita dhe pozita të arrijnë pajtueshmëri mes tyre dhe kanë porositur se bojkoti i zgjedhjeve nuk është zgjedhje.










