Vuçiç “gëlltit” planin franko-gjerman për hir të Asocacionit

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Miroslav Lajçak, tha të premten se presidenti serb Aleksandar Vuçiç tregoi një qasje të përgjegjshme dhe gatishmëri për të marrë vendime të vështira në interes të paqes dhe perspektivës evropiane të Serbisë.

Pas takimit të Lajçakut me përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Gjermanisë dhe Italisë me Vuçiçin në Beograd, diplomati sllovak tha se biseda ishte “shumë intensive dhe e vështirë, por e sinqertë dhe e hapur”, transmeton Beta.

“Rezultati është se jemi të inkurajuar. Presidenti Vuçiç tregoi një qasje të përgjegjshme dhe gatishmëri për të marrë vendime të vështira në interes të paqes dhe perspektivës evropiane të Serbisë. Për ne, zbatimi i plotë i marrëveshjes për komunitetin e komunave serbe [ZSO, në Kosovë] është element kyç për stabilitet”, tha ai.

“Puna do të vazhdojë pa vonesë”

Ai tha se BE, SHBA, Franca, Gjermania dhe Italia “mbeten të bindura” se plani franko-gjerman për Kosovën, i cili u prezantua në shtator dhe u diskutua sot, “është mënyra më e mirë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe për integrimin evropian të rajonit”.

“Puna jonë do të vazhdojë pa vonesë”, shtoi Lajçak.

Presidenti i Serbisë pas takimit deklaroi se vendi i tij është i gatshëm ta pranojë konceptin dhe se po punon për zbatimin e marrëveshjes së propozuar për çështjen e Kosovës.

Ai u tha gazetarëve se në takimin “për një çështje të rëndësishme” nga marrëveshja, ka treguar gjithë shqetësimin dhe rezervën, por ka theksuar se nuk mund të flasë për këtë, pasi marrëveshja nuk është ende publike.

Ai ka deklaruar se sot si president i Serbisë “është përballur pa mëdyshje me problemet dhe sfidat që do t’i viheshin Serbisë nëse nuk pajtohej me planin e propozuar për çështjen e Kosovës”.

“Në këto dhe këto kushte kemi kërkuar nga përfaqësuesit e SHBA-së, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe BE-së që të na ndihmojnë të gjithëve për të kapërcyer turbulencat me të cilat po ballafaqohemi në Kosovë, sepse besojmë se është koha për të formuar ZSO, e cila jo vetëm që ishte premtuar, por edhe e nënshkruar 10 vjet më parë”, tha presidenti i Serbisë.

Vuçiç: Konflikti i ngrirë nuk është zgjidhje

Ai shtoi se është një çështje urgjente dhe se vetëm pas kësaj mund të bisedohet dhe të kthehen serbët në institucionet e Kosovës, si dhe “një lloj normalizimi i situatës” dhe se bisedimet ishin shumë të vështira, se nuk ka pasur “as biseda të ëmbla, as të bukura” dhe se ai “bëri çmos për të ruajtur dhe mbrojtur Serbinë”.

Ai theksoi se të gjithë në takim ranë dakord se një konflikt i ngrirë nuk është zgjidhje.

“Sepse, kur keni një konflikt të ngrirë, është vetëm çështje kohe kur dikush do ta shkrijë atë dhe kur individë të papërgjegjshëm do të rrëzojnë paqen dhe stabilitetin e të gjithë Ballkanit Perëndimor”, tha Vuçiç. /tesheshi.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu