Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi gjatë vizitës së tij të parë në Ukrainë, që nga fillimi i agresionit rus, se “nuk e ka tradhtuar Rusinë” dhe se në samitin e mbajtur në Odesa nuk e ka nënshkruar deklaratën që dënon agresionin, pasi ajo bënte thirrje për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Ai tha se Serbia ka qëndruar neutrale dhe se askush nuk ka ushtruar ndonjë “presion të madh” ndaj tij që ta nënshkruante këtë deklaratë.
“Sërish kam qenë i vetmi që nuk e kam pranuar deklaratën. Ndryshe nga ata që pranojnë çdo gjë kundër Rusisë, çdo gjë që munden”, tha Vuçiq më 11 qershor para gazetarëve në Odesa, ku mori pjesë në samitin Ukrainë – Evropa Juglindore.
Ai theksoi gjithashtu se është “krenar për politikën e Serbisë” dhe për “pavarësinë dhe vetëvendosjen” e saj. “Kështu do të vazhdojmë”, shtoi Vuçiq.
Deklarata, e nënshkruar në samitin e Odesës nga liderë të Ballkanit Perëndimor, përfshirë nga Rumania, Moldavia, Greqia dhe Kroacia, dënon agresionin rus, bën thirrje për anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe dënon krimet e luftës të kryera nga Rusia, sipas agjencisë AFP.
Dokumenti, ndër të tjera, i bën thirrje Rusisë të tërheqë trupat nga Ukraina dhe dënon dëbimin e mijëra civilëve ukrainas, përfshirë fëmijë, për në Rusi.