Vuçiç-Rusisë: Mos ftoni serbë për të luftuar në Ukrainë, është kundër rregullave tona

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në një dalje mediatike ka kritikuar reklamat ruse të cilat mundohen të rekrutojnë shtetas serbë për të luftuar përkrah grupit paramilitar Wagner kundër Ukrainës.

Mediat e huaja bëjnë me dije se uebsajtet ruse dhe grupet e mediave sociale kanë bërë thirrje në serbisht për të rekrutuar vullnetarë për të luftuar në Ukrainë.

Vuçiç tha se kjo praktikë është e paligjshme për serbët dhe nuk lejohet që ata të marrin pjesë në konflikte jashtë vendit. Sipas tij disa njerëz janë dënuar për këtë çështje.

Pamjet e dy burrave të maskuar, në një kurs trajnimi për armë, u transmetuan nga agjencia ruse e lajmeve RIA sot, e cila pretendoi se ata ishin vullnetarë serbë në një zonë të Ukrainës të kontrolluar nga Rusia.

Ndërkohë Vuçiç ka mohuar akuzat se grupi Wagner ka një prani të shtuar në Serbi.

Ministria e Mbrojtjes paralajmëroi serbët të mos bashkohen me rradhët ruse, pasi do të ketë pasoja ligjore.

Serbia është një kandidate për t’u anëtarësuar në BE, por ajo ruan bashkëpunimin tregtar dhe ushtarak me Rusinë dhe është tërësisht e varur prej saj sa i takon importeve të gazit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu