Vuçiç sulmon kryeministrin Kurti para zgjedhjeve të 7 qershorit: Ka dalë për gjueti ndaj serbëve të Kosovës

Presidenti serb Aleksander Vuçiç ka pretenduar se kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka ndërmarrë një gjueti ndaj serbëve të Kosovës.

Gjatë një interviste në televizionin publik serb, Vuçiç paralajmëroi se do të mbështesë “me gjithë forcën” Listën Serbe në zgjedhjet në Kosovë dhe tha se do të luftojë për pozitën e serbëve. Sipas tij, “shqiptarët do të bëjnë gjithçka” për të mbështetur ata që, sipas Vuçiçit, “duan ta mposhtin Serbinë”.

“Ai filloi të arrestonte serbët më të shquar, drejtorë të qendrave shëndetësore, shkollave, serbët më të shquar me urdhër të Nenad Rashiç. Gjithmonë gjen serbë që do të mbështesin ata që duan të përndjekin serbët. Shqiptarët do të bënin gjithçka për t’u ofruar mbështetje me forcë atyre që do ta mposhtnin Serbinë”, pretendoi Vuçiç.

Gjatë intervistës, Vuçiç deklaroi se objektivi i Serbisë mbetet “mbijetesa e popullit serb”, respektimi i Kartës së OKB-së dhe rezolutave ndërkombëtare. Ai shtoi se Serbia duhet të vazhdojë modernizimin dhe përballjen me problemet e brendshme.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu