Pas nënshkrimit të aplikimi për anëtarësim të Kosovës në BE ka reaguar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Përmes një video mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, kreu i shtetit serb ka thënë se “ka kërkuar nga Perëndimi që t’i tregojë se cilin nga pesë apo gjashtë dokumentet e rëndësishme duan të respektojnë”.
“Të nderuar qytetarë të Serbisë, e dini se i kam lutur partnerët tanë perëndimor të më thonë se cilin nga pesë dokumentet e rëndësishme duan të respektojnë, Marrëveshjen e Kumanovës, Kartën e OKB-së, Rezolutën 1244, Marrëveshjen e Brukselit apo Marrëveshjen e Uashingtonit.
Arritëm edhe te dokumenti i gjashtë, shumë i rëndësishëm i BE-së, i vitit 2003, dokumenti i famshëm i Selanikut për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor. Dhe në dritën e paraqitjes së kërkesës për anëtarësim në BE të Kosovës.
Pra, pyetja ime nga sot është: Cilin nga këto gjashtë dokumente dëshironi të respektoni dhe ne do të pajtohemi absolutisht”, ka thënë Vuçiq.










