Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përsëriti sot se do të japë dorëheqje, duke theksuar se më pas do të shihet nëse brenda 90 ditësh do të mbahen zgjedhje parlamentare apo presidenciale, shkruajnë mediat në Serbi.
Nëse jep dorëheqje, tha ai për gazetarët në Pekin, ku ndodhet për vizitë në Kinë, funksionin dhe kompetencat e presidentit do t’i marrë kryetari i Kuvendit Popullor. Ai nuk tregoi se kur do ta ndërmarrë këtë hap.
Vuçiq shtoi se nuk është nga ata që duan të qëndrojnë në karrige deri në fund të jetës, “si disa të tjerë”, raportojnë mediat e Beogradit.
Ai deklaroi se, në rast se jep dorëheqje, zgjedhjet duhet të shpallen brenda 90 ditësh, pasi kështu parashihet me Kushtetutë.
“Dhe nuk po e shkurtoj mandatin, siç kanë mashtruar se Boris Tadiç e ka shkurtuar mandatin. Ai nuk e shkurtoi mandatin, por dha dorëheqje. Edhe unë do të jap dorëheqje, sepse kështu shkruan në Kushtetutë, nuk po shkurtoj asnjë mandat. Kur të jap dorëheqje, atëherë do të shohim nëse do të ketë zgjedhje parlamentare, ndërsa brenda 90 ditësh do të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe kjo është e gjitha. Nuk ka ndonjë filozofi të madhe”, tha Vuçiq.










