Vuçiq refuzon firmosjen e deklaratës që dënon agresionin rus mbi Ukrainën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi gjatë vizitës së tij të parë në Ukrainë, që nga fillimi i agresionit rus, se nuk e ka tradhtuar Rusinë dhe se në samitin e mbajtur në Odesa nuk e ka nënshkruar deklaratën që dënon agresionin, pasi ajo bënte thirrje për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Ai tha se Serbia ka qëndruar neutrale dhe se askush nuk ka ushtruar ndonjë “presion të madh” ndaj tij që ta nënshkruante këtë deklaratë. Sërish kam qenë i vetmi që nuk e kam pranuar deklaratën. Ndryshe nga ata që pranojnë çdo gjë kundër Rusisë, tha Vuçiq para gazetarëve në Odesa, ku mori pjesë në samitin Ukrainë – Evropa Juglindore. Deklarata, e nënshkruar në samitin e Odesës nga liderë të Ballkanit Perëndimor dënon agresionin rus, bën thirrje për anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe dënon krimet e luftës të kryera nga Rusia. Dokumenti, ndër të tjera, i bën thirrje Rusisë të tërheqë trupat nga Ukraina dhe dënon dëbimin e mijëra civilëve ukrainas, përfshirë fëmijë, për në Rusi.

“Deklarata që u miratua nuk ishte e lehtë për ne dhe kjo është arsyeja pse abstenova dhe pse emri im nuk është në mesin e nënshkruesve dhe Serbia nuk është midis nënshkruesve të deklaratës. Nëse nuk gabohem, sanksionet kundër Rusisë janë ende në tekstin e deklaratës dhe thirrja drejtuar të gjithëve për ta miratuar atë dhe kjo ishte një nga arsyet pse nuk e nënshkrova”, deklaroi Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë. /Alsat.mk


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu