Presidenti serb ka deklaruar se është i gatshëm të vazhdojë dialogun me Kosovën, por me një kusht. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar sot se Serbia është e gatshme të vazhdojë dialogun me Kosovën, por vendosi si kusht tërheqjen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga veriu.
Gjatë takimit me ministrin e Jashtëm të Danimarkës, Lars Rasmussen në Beograd, Vuçiq i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë të gjitha masat për të parandaluar ato që ai i cilësoi se “lëvizjet e rrezikshme dhe të papërgjegjshme të Prishtinës” dhe “të mbrojnë popullatën serbe”.
Vuçiq e cilësoi situatën në Kosovë si “më të ndërlikuarën dhe më të rrezikshmen deri më tani” dhe shtoi se ngjarjet e 24 shtatorit janë “treguesi më i qartë i qëllimeve të Prishtinës për të parandaluar çdo marrëveshje me Beogradin”.
Sipas presidentit serb, shteti i tij “është i gatshëm të punojë në vazhdimin e dialogut e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”– tha ai.










