Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se serbët janë të kënaqur që njësitë speciale të Kosovës u tërhoqën nga pozicionet e tyre në vendkalimet kufitare midis Serbisë dhe Kosovës, gjegjësisht në Jarinjë dhe Bërnjak.
“Ishte e tensionuar dhe pati maltretime ndaj njerëzve tanë, të tilla si ‘Hiqni një kamion, pastaj hiqni të gjithë’. E shihni entuziazmin e njerëzve tanë kur forcat e tyre u larguan nga veriu i Kosovës”, deklaroi Vuçiqi për televizionin serb “Prva” nga Dubai.
Duke folur për marrëveshjen midis dy vendeve në Bruksel, e cila kapërceu krizën në Kosovë të shkaktuar nga fuqizimi i targave të përkohshme të Republikës së Kosovës për automjetet nga Serbia, Vuçiqi tha se nuk ka marrëveshje të lehta madje “asgjë të lehtë për Serbinë“.
Ai deklaroi se Serbia “faktikisht” nuk ka prani në Kosovë që nga viti 1999, pas së cilës “një dëbim ndodhi në 2004, dhe në 2008 u shpall pavarësia“.
“Që atëherë, ne kemi luftuar për të mbajtur hundën, nëse jo gojën, mbi ujë. Për të ruajtur sigurinë për njerëzit tanë në Kosovë. Ju po luftoni në kushtet në të cilat e gjithë hemisfera perëndimore po ju bën presion për të dorëzuar atë që ka mbetur nga hunda juaj“, tha Vuçiqi.
Presidenti i vendit fqinj tha se serbëve në Kosovë “nuk u pëlqen” KFOR-i për shkak të sulmeve të NATO-s në Serbi më 1999, por shtoi se NATO-ja dhe KFOR-i janë “e vetmja mbrojtje e vërtetë” atje, “për fat të keq, kishte edhe rusë, por ata u tërhoqën, dhe NATO mbeti“.
Ai tha se nuk besonte se do të krijohej Asociacioni i komunave me shumicë serbe, “sepse e di se me kë ka të bëjë Serbia“- tha ai.









