Prodhuesi i njohur gjerman i automjeteve, Volkswagen, ka deklaruar se taksat e importit të vendosura nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump i kanë shkaktuar kompanisë një humbje prej mbi 1 miliard euro në gjysmën e parë të këtij viti.
Sipas kompanisë, megjithëse është bërë përparim në procesin e rindërtimit të brendshëm, ajo po shqyrton mundësinë e mbylljes së 35 mijë vendeve të punës deri në vitin 2030. VW raportoi një “rënie në operim” prej 1.3 miliardë eurosh, kryesisht si pasojë e kostove të larta nga taksat e ngritura amerikane ndaj importeve, shkruan gazeta The Guardian.
Për shkak të këtyre sfidave, kompania ka ulur margjinën e pritshme të fitimit për këtë vit, duke e vendosur mes 4 dhe 5 për qind. Ky vlerësim bazohet në supozimin se taksat amerikane — që variojnë nga 10 për qind në skenarin më optimist deri në 27.5 për qind në skenarin më të keq — do të bëhen të përhershme.
Grupi gjigant gjerman, që përfaqëson një nga shtyllat kryesore të industrisë automobilistike europiane, prodhon gjithashtu markat Audi, Seat dhe Skoda, si dhe vetura luksoze si Lamborghini dhe Bentley. Po ashtu, ai prodhon automjete komerciale, përfshirë kamionët Scania.
Të hënën, prodhuesi tjetër i automjeteve, Vauxhall-Stellantis, bëri të ditur se taksat e reja i kanë kushtuar 300 milionë euro. Ndërkohë, javën e kaluar, kompania suedeze Volvo njoftoi se kishte ndërprerë shitjet e disa modeleve në SHBA, duke pësuar një rënie të ndjeshme të të hyrave në çerekun e dytë të vitit.
Eksporti i veturave gjermane drejt Shteteve të Bashkuara shënoi një rënie të theksuar në muajt prill dhe maj. Shoqata gjermane e industrisë së automjeteve, VDA, theksoi të enjten se taksat e importit të vendosura nga presidenti Trump po ndikojnë rëndë shitjet në tregun më të rëndësishëm të huaj për prodhuesit gjermanë të automjeteve.