Wagner fton “patriotët nga Serbia, Mali i Zi dhe Republika Srpska”: Të shkojmë të çlirojmë Jarinjën

Në nëntor të këtij viti, serbi Damnjan Knezheviq ka qëndruar në qendrën e grupit famëkeq paramilitar Wagner në Rusi.

“Është nderë për mua të jem këtu”, dëgjohet duke thënë Knezheviq në videon e publikuar më 29 nëntor me rastin e vizitës në qendrën Wagner në Rusi.

Damnjan Knezheviq është një nga drejtuesit e organizatës së krahut të djathtë Patrulla Popullore nga Serbia. Zoran Lekiq dhe Aleksandar Lisov, të cilët u prezantuan në fillim të dhjetorit si ideologë dhe drejtues të Qendrës PMC Wagner – Qendra Kulturore dhe Informative Ruso-Serbe e Miqësisë dhe Bashkëpunimit Orly në Beograd, gjithashtu shfaqen në videon nga qendra Wagner.

Pa u bërë akoma një muaj i plotë pas vizitës në qendrën Wagner, Damnjan Knezheviq i ka bërë thirrje serbëve që të nisen dhe të “çlirojnë” Jarinjën (pikëkalimin kufitarë mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në këtë moment të shohim se sa njerëz janë gati të shkojnë në Jarinje dhe të përpiqen ta lirojnë atë pikëkalim”, ka thënë Knezheviq në një audio mesazh të publikuar nga Agim Musliu, drejtor i Institutit për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS” nga Kosova.

Musliu tha për Istraga.ba se situata në veri të Kosovës është shumë e rëndë, ndërsa bashkëpunëtorja e “Istraga”, Gynen Venhari, thotë se grupe të caktuara të lidhura me Federatën Ruse mund të organizojnë djegien e “kalimeve kufitare” në Kosovë.

Istraga.ba posedon një video ku shihen disa persona me armë automatike. Sipas burimeve, regjistrimi është bërë në veri të Kosovës.

“Jo larg barrikadave ku ndodhen civilët, ka postblloqe ku ka njerëz të armatosur të gatshëm për të qëlluar në çdo moment”,
ka thënë burimi i Istraga duke iu referuar veriut të Kosovës.

Kujtojmë se më 9 dhjetor të këtij viti në veri të Kosovës, persona të panjohur, duke shtënë me armë automatike, kanë plagosur një pjesëtar të policisë së Kosovës.

Shtatë ditë më parë, persona të panjohur kanë hedhur një bombë trullosëse edhe në një veturë të EULEX-it që po patrullonte në veri të Kosovës. Tashmë priten incidente më të mëdha. Për sot (e diel, 18 dhjetor) është paralajmëruar marrja e vendkalimit në Jarinjë.

“Patriotët serbë nga Serbia, Mali i Zi dhe Republika Srpska ju ftojnë në Jarinjë. Të mos lejojmë që vëllezërit dhe motrat të mbeten vetëm të rrethuar”, thuhet në ftesën e publikuar në rrjetet sociale të organizatave të djathta nga Serbia.

Damnjan Knezheviq, është një nga organizatorët. Ai ka qëndruar në Qendrën Wagner në Rusi në fund të nëntorit, dhe pas vizitës së tij është paralajmëruar se do të hapet një qendër Wagner edhe në Beograd.

“Ju prezantojmë me banorin e ri të Qendrës PMC Wagner – ANO Qendra Kulturore dhe Informative Ruso-Serbe e Miqësisë dhe Bashkëpunimit Orly. Ideologu dhe udhëheqësi i Qendrës është Aleksandar Lisov”, ishte bërë e ditur asokohe në platformën Telegram.

Që nga viti 2017, Lisovit i është ndaluar hyrja në Kosovë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu