Për zhvillimet e 27 prillit sot ka dëshmuar edhe kryeministri Zxoran Zaev, i cili për hyrjen e turmës në Kuvend kishte mësuar nga monitorët në sallën e press-konferencave në të cilën po zhvillonin konferencë pas zgjedhjes së Talat Xhaferit për kryetar të Kuvendit. Zaev tha se i është ofruar evakuim nga ana e sigurimit por nuk ka pranuar pasi evakuimi vlente vetëm për të dhe jo edhe për kolegët e tij. Ndërkohë që theksoi se turma e cila kishte qëndruar në sallë rreth dy orë ishin shumica të armatosur dhe me gjësende gjuanin drejt deputetëve duke bërtitur dhe duke iu kërcënuar me jetë atyre.
“Më vjen shumë keq për ngjarjet fillimisht nga aspekti njerëzor, por jam i lumtur që nuk ka viktima në njerëz dhe deri më sot nuk kam mundur të besoj që qytetarët tanë bartin aq shumë urrejtje sa të marrin shpirt, vetëm nëpër filma kam parë skena të tilla dhe mundohem sa mundem që ti harroj”- u shpreh Zoran Zaev, kryeministër.”
Sot ka dëshmuar edhe ish ministri i shëndetësisë Nikolla Todorov. Ai derisa përshkroi zhvillimet në kuvend, theksoi mes tjerash se për largimin e Ziadin Selës dhe Radmilla Sheqerisnkës nga Kuvendi është dashur t’i maskojnë, duke i veshur njërin si policë dhe tjetrën si motër medicinale.
“Asnjëri nga deputetët nuk ishte i dhunshëm. Ishte atmosferë shumë e keqe, ajo që ndodhi me zgjedhjen e kryetarit shkaktoi revolt të madh jashtë Kuvendit. As unë dhe as deputetët tjerë nuk e kemi ditur se atë ditë do të zgjidhje kryetari i Kuvendit dhe se do të ndodh diçka e tillë sepse zgjedhja zvarritej me ditë dhe mendova se edhe ajo ditë do të përfundoj njëjtë”- theksoi Nikolla Todorov- ish ministër i shëndetësisë.”
Ndërkohë deputeti Vesel Memedi, gjatë dëshmisë theksoi se 27 prilli është rast i montuar. Sipas tij vet fakti se interpretimi i himnit shqiptar dhe njëkohësisht thirrjet e deputetëve të VMRO-DPMNE-së për qetësi me qëllim që himni të dëgjohet qartë edhe jashtë tek protestuesit, kishte për qëllim nxitjen e tensioneve. Për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend akuzohen 33 persona për cenim terrorist të rendit kushtetues.










