Zaev shet Mercedesin e Gruevskit: Me parat e makinës blejmë autoambulanca për spitalet!

E porositi kryeministri i atëhershëm Nikolla Gruevski, kurse tani do ta nxjerrë në shitje kryeministri Zaev. Makina Mercedes e blerë me tender të MPB-së, e cila kushtoi rreth 600 mijë euro, edhe pse pritet vlerësimi zyrtar, aktualisht në treg ka vlerën e 400 mijë eurove. Nga kabineti qeveritar njoftojnë se kanë hapur procedurë për shpronësimin e veturës së famshme nga të ashtuquajturat “bomba”. Ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski tha se vetura më nuk është në pronësi të MPB-së.

“MPB ka edhe makina të tjera, të cilat janë të ngjashme më këtë tip, megjithatë me datë më të vjetër të prodhimit dhe me më shumë vjet që janë përdorur. Mercedesi është dorëzuar dje tek Shërbimet për punë të përbashkëta dhe të përgjithshme, pasi që me kërkesë të qytetarëve, vendimi ishte që të shpronësohet dhe mjetet të shfrytëzohen për pajisje mjekësore”, u shpreh Oliver Spasovski, Ministër i punëve të brendshme.

Zëdhënësi i qeverisë Boshnjakovski tha se ka filluar procedura për shpronësimin e veturës së blinduar.

“Deri në këtë moment e dimë vlerën e makinës që u paraqit viteve të fundit, që ishte 600 mijë euro. Por, meqë tani nuk e dimë vlerën reale të veturës, do të bëhet vlerësimi gjatë këtij procesi dhe sipas shumës së parave që mund të shitet do të përcaktohen se cilat janë nevojat e qendrave klinike nëpër vend ose nëpër shtëpitë tjera të shëndetit. Sipas atij vlerësimi do të blihen pajisjet e nevojshme”, tha Mile Boshnjakovski, Zëdhënës i Qeverisë së RM.

Vetura Mercedes, u përmend edhe “bomba” e publikuara nga opozita, kurse PPS ka hapur hetim të posaçëm të quajtur “Tanku”. Në këtë rast dyshohen dy persona, ish ministrja e brendshme Gordana Jankullovska dhe krye shefi i atëhershëm për furnizime publike Gjoko Popovski, të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimet në periudhën prej shkurtit deri në tetor të vitit 2012. Akuza është pranuar nga gjykata por ende nuk është caktuar seancë gjyqësore. Me vendim të Gjykatës së Apelit si dëshmi do të shfrytëzohen edhe bisedat e përgjuara./RTV21


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu