Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka hyrë sot në Shqipëri, përgatësisht në fshatin Pustec të Prespës, ku ka dërguar personalisht tekste mësimore në gjuhën Maqedonase.
Nga Prespa, Zaev ka kujtuar se qeveria e tij ka vendosur që shqipja të jetë gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ndërkohë që ka shtuar që do të duhet të ketë marrëdhënie të mira.
“Edhe në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët mësojnë shqip. Të njëjtën gjë shohim edhe në Shqipëri, ku në zonat ku banojnë maqedonas, mësohet në gjuhën maqedonase. Shqipja është gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.Sot sollën libra që fëmijët të mësojnë maqedonisht. Qeveria jonë ka sjellë donacione, për të ndërtuar shkollë, për të bërë të tjera gjëra me vlerë për komunitetin. Shumë rrugë Shqipëria e Maqedonia e kanë të përbashkët, edhe në realitet, por edhe atë drejt BE-së”, tha Zaev.
Megjithatë, kjo vizitë duket se nuk është thjesht një sjellje tekstesh, të cilat mund t’i sillte gjithkush tjetër përveç kryeministrit.
Sipas të gjitha gjasave, kjo është një sfidë poilitike ndaj Bullgarisë, e cila nga ana tjetër u ka dhënë pasaporta e shtetësi të gjithë anëtarëve të pakicës maqedonase në Pustec.
Ndaj dhe Zaev ka sulmuar Sofjen zyrtare në lidhje me veton ndaj hapjes së negociatave me Bashkimin Europian.
Zaev Sulmoi BE-në dhe Sofjen nga Shqipëria, duke krijuar kështu një precedent që pritet të krijojë polemika në ditët në vazhdim.
“Shumë rrugë Shqipëria dhe Maqedonia i kanë bashkë, por edhe rrugën për në BE e kemi të përbashkët, edhe pse morëm një zhgënjim për arritjet e fundit në Unionin Europian. Të dy shtetet meritojnë të vazhdojnë rrugëtimin në BE. Ne po vazhdojmë konsultimet për të përfunduar këtë problematike, që në fakt nuk e dimë çfarë problemi është. Po punojmë për ta zgjidhur me qëllim integrimin në BE. Problemi kyç ishte emri, tani ka sjellë një problem shteti bullgar, po punojmë që të zgjidhim këtë problematikë. Po të mos ishte koha e pandemisë, besoj që kjo marrëveshje do të kishte ecur më mirë, por besoj se do të gjejmë një zgjidhje”, u shpreh Zaev.