Kryeministri Edi Rama është takuar me homologun e Kroacisë, Andrej Plenkovic, me të cilin ka biseduar rreth marrëdhënieve mes dy vendeve.
Kryeministri kroat e siguroi Ramën për mbështetjen e vendit të tij për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
Nga ana tjetër, kryeministri Rama bisedoi me homologun kroat edhe rreth çështjes se Ballist Morinës, për të cilin kreu i ekzekutivit shqiptar kërkoi një vendimmarrje të drejtë dhe të ndershme nga ana e autoriteteve kroate.
Kryeministri Plenkovic e siguroi zotin Rama se rasti i Ballist Morinës do të trajtohet me kujdesin maksimal dhe në respekt të legjislacionit dhe konventave ndërkombëtare.
Gjithashtu Rama u takua gjatë forumit ekonomik të Davosit edhe me kryeministrin hollandez, Mark Rutte, me të cilin bisedoi mbi ecurinë e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian dhe rëndësinë strategjike të çeljes së negociatave për anëtarësim, jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë rajonin.
“Davos – Me kryeministrin kroat, Andrej Plenković, dhe kryeministrin hollandez Mark Rutte, mbi ecurinë e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian dhe rëndësinë strategjike të çeljes së negociatave për anëtarësim, jo vetëm për vendin tonë po edhe krejt rajonin”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook.










