Ish modelja dhe gruaja e kandidatit republikan për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Melanie Trump ka punuar si modele në SHBA të paktën 10 herë para se të merrte lejen e rregullt të punës.
Lajmin e bën të ditur agjencia e lajmeve Associated Press e cila disponon kontrata dhe dokumente mbi çështjen në fjalë. Sipas AP, zonja Trump është paguar më shumë se 20.000 dollarë.
Melanie Trump e lindur në Slloveni, ka marrë “kartën e gjelbër” në vitin 2001 dhe është bërë qytetare amerikane në vitin 2006. Ajo ka pohuar gjithmonë në daljet e saj se ka mbërritur në SHBA sipas ligjit dhe se nuk ka shkelur asnjëherë rregullat e emigracionit.
Madje Melanie pati paditur sajtin Politico.com pasi shkruante të kundërtën në muajt e fundit. “Unë kam qenë gjithmonë në përputhje me ligjet e emigracionit të këtij vendi,” pati deklaruar Melanie.
“Kundër emigrantëve të paligjshëm”
Nëse kjo histori konfirmohet, do të ishte një turp i madh për Trump duke parë se linja kundër emigrantëve të paligjshëm është në qendër të programit të tij zgjedhor duke propozuar sisteme të ashpra verifikimi për ata që punojnë pa viza.
Vetë Melania ka ndërhyrë disa herë gjatë fushatës elektorale për të mbrojtur propozimet e burrit të saj duke treguar pikërisht historinë e saj të emigrimit të rregullt.
Kohë më parë avokati i saj pati thënë se Melanie ka qenë në Amerikë më 27 gusht të vitit 1996 me një vizë turisteje B1/B2, dhe më pas ka marrë një vizë pune H/1B më 18 tetor 1996.
Por sipas dokumenteve që AP posedon, aspirantja për Zonjën e Parë, ka punuar 7 javë në Amerikë mes 10 shtatorit dhe 15 tetorit të atij viti, ndërsa viza e saj e lejonte të kërkonte punë, por jo të ushtronte profesionin kundrejt pagesës.
“Fitnes” dhe “ Bergdorf Goodman” janë dy nga revistat për të cilat Melanie ka punuar./syri










