Zbulohen prapaskenat, Rama pranoi shtyrjen e zgjedhjeve deri në 16 korrik, por ç’ndodhi?

Katër negociata sa në Kryesinë e Kuvendit, selinë e Partisë Demokratike dhe së fundmi në Pallatin e Kongreseve nuk rezultuan të mjaftueshme që Edi Rama dhe Lulzim Basha të arrinin një pakt politik mes tyre.

Por çfarë ka ndodhur në takimet që McAllister, zv.Presidenti i PPE-së dhe Flenckestein, eurodeputeti i majtë kanë zhvilluar me Ramën e Metën e më pas me Bashën?

Burime i thanë Panorama Online se që në fillim të takimeve David McAllister i ka thënë Ramës dhe Bashës se nuk ka një draft konkret për ata të dy, por ka ardhur në Tiranë për të dëgjuar dhe përafruar qëndrimet e palëve në përpjekje për të zgjidhur krizën politike.

Në takimin me Ramën, kreu i Qeverisë është shprehur i gatshëm për të bërë ndryshime rrënjësore në Policinë e Shtetit si dhe opozita, por edhe komuniteti ndërkombëtar të kenë akses dhe monitorojnë lëvizjet e reja.

Gjithashtu Rama është shprehur se është i gatshëm të mirëpres një pjesëmarrje sa më të madhe ndërkombëtare për vëzhgimin e zgjedhjeve.

Më pas McAllister ka shkuar drejt Bashës, i cili i ka mëshuar fort tezës së qeverisë tektike dhe përcaktimit të modaliteteve të saj për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Burimet të Panorama bëjnë të ditur se në takimin e dytë që Rama ka pasur me zyrtarët europianë, është shprehur i gatshëm të shtyjë zgjedhjet deri në 16 Korrik, pasi sipas tij ka hapësira kushtetuese. Por Rama është shprehur kategorikisht kundër që zgjedhjet edhe në këtë datë të oranizohen nga një Qeveri teknike.

Ndërsa në takimin e dytë me Bashën, lideri i opozitës ka thënë se ndryshimet në polici, që Rama i ofron si koncension, nuk janë të sinqerta pasi sipas tij “policia, është ajo e kohës së PD-së, por problem është te politizimi i saj”. Pasi Basha ka dëgjuar qëndrimin se Rama nuk pranon qeverinë teknike, ka vlerësuar se takimi me zv.Presidentin e PPE-së nuk mund të prodhonte asnjë rezultat nga ai që kërkonte PD-ja.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu