Zbulohet depozita më e madhe e mineraleve të rralla në Evropë

Kompania shtetërore suedeze e minierave LKAB njoftoi se ka identifikuar më shumë se një milion ton minerale të rralla në zonën e Kiruna, depozitimi më i madh i tillë në Evropë.

Metalet e rralla të tokës janë thelbësore për shumë procese të prodhimit të teknologjisë së lartë dhe përdoren në automjete elektrike, turbina me erë, elektronikë portative, mikrofona dhe altoparlantë, raporton Reuters.

CEO i LKAB, Jan Mostrom tha për Al Jazeera-n se është identifikuar një depozitë shumë e madhe e këtij materiali, e cila, shtoi ai, është e rëndësishme për Bashkimin Evropian sepse ky mineral është çelësi i elektrifikimit.

“Ky është një lajm i mirë, jo vetëm për LKAB-në, rajonin dhe Suedinë, por edhe për Evropën. Kjo mund të bëhet e rëndësishme për prodhimin e lëndëve të para kritike që janë thelbësore për të mundësuar tranzicionin e gjelbër”, tha ai.

Komisioni Evropian konsideron se mineralet e rralla të tokës janë burimet më kritike për rajonin dhe për momentin shumica e tyre nxirren në Kinë.

BE-ja po kërkon burime të tjera përveç Kinës për këto minerale kyçe, por do të duhet të paktën një dekadë përpara se materialet e gjetura në Suedi të jenë të disponueshme për industrinë.

LKAB tha se planifikon të aplikojë për koncesione minerare këtë vit, por shtoi se do të duheshin të paktën 10 deri në 15 vjet përpara se të mund të fillonte potencialisht minierën e depozitës dhe dërgimin e saj në treg. /tesheshi.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu