Zbulohet letra e rrallë e Nënë Terezës drejtuar Ramiz Alisë (FOTO)

Profesori, Përparim Kabo ka postuar sot në profilin e tij në Facebook, një letër të Nënë Terezës, drejtuar ish presidentit të vendit, Ramizë Alisë ku dhe i shpreh disa kërkesa.

Letra është e shkruajuar në gjuhën angleze dhe mban firmën e nënë Terezës. “Letra e Nene Terezës drejtuar Ramiz Alise…me shkrim dore prej dorës se saj”, shkruan Kabo në profilin e tij në Facebook.

Kjo letër që shihni dhe në fotot që ka publikuar Profesor Kabo, është një kopje e letrës së Nënë Terezës. Është shkruar më 16 gusht 1989, dhe i drejtohet Ramiz Alisë, Presidentit të Shqipërisë së asaj kohe.

Nënë Tereza i drejtohet presidentit Ramiz Alia pas vizitës disaditore që kishte bërë në Shqipëri (në “vendin tim”). Ajo shprehimisht shkruan: “Pas shumë vjet lutjesh dhe dëshire për të vizituar vendin tim (…), më në fund i miri Zot ma dha këtë dhuratë të bukur të shoh popullin tim”. Kjo shprehje tregon dashurinë e madhe që kishte e Lumnuemja Nëna Terezë për Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Letra tregon qartë për emocionet e mëdha të cilat ende nuk janë shuar pas kësaj vizite dhe ato janë pasqyrim i mallit e dashurisë, respektit dhe nderit që ajo ndjente thellësisht në shpirt për popullin e saj dhe familjen e saj që i përkiste këtij populli.

Në vijim, Nënë Tereza i shpreh dëshirën Presidentit të Shqipërisë së asaj kohe, z. Ramiz Alia, që të sjellë në Shqipëri “motrat e mia, Misionaret e Bamirësisë”, të cilat ndodhen në shumë vende të ndryshme të botës. Është shumë domethënëse shprehja e saj “kjo e jona nuk është çështje biznesi, as politike”, duke rikujtuar kështu përkushtimin e saj për t’u ndihmuar “pleqve, të vetmuarve dhe atyre që u mungon dashuria”.

Ndërsa në fund me çiltërsi dhe sinqeritet të madh i shkruan “Zotit President të vendit tonë të dashur Shqipëri” një fjali e cila edhe sot ruan aktualitetin dhe paraqet virtytin e lartë njerëzor që e karakterizoi tërë jetën këtë bamirëse të madhe: “Unë nuk kam as ar e as argjend, por juve do t’ju jap motrat”. Menjëherë pas kësaj letre autograf të Nënë Terezës pason përgjigjja e presidentit Ramiz Alia, e shkruan më 2 shtator 1989. Letra është e daktilografuar, po në fund, në anën e majtë mban firmën origjinale autografe të Ramiz Alisë. Në këtë përgjigje, presidenti Alia i shkruan me një ton dashamirës duke i kujtuar se “Njerëzit tanë njohën nga afër bashkatdhetaren e tyre fisnike që u ka dhënë ‘besën’ të varfërve”, gjë që për kohën kur u shkrua letra ishte një përgjigje shumë domethënëse. Por njëkohësisht, duke i rikujtuar se e mirëkupton dëshirën e saj për të pasur motrat në Shqipëri, ai e refuzon kërkesën e saj duke u shprehur se “shqetësimi i juaj për njerëzit e varfër përbën detyrën humane e patriotike të mijëra e mijëra djem e vajzave të popullit tonë, që si mjekë e infermierë (…) i janë përkushtuar shëndetit e mirëqenies së njerëzve tanë”. Një përgjigje e tillë ishte refuzuese për pranimin e “Misionareve të Bamirësisë” në Shqipërinë e asaj kohe./tetovasot

nt

mt


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu