Maqedonia vijon të mos ketë ende një qeveri edhe pse kanë kaluar disa muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve duke e çuar vendin në një krizë të thellë politike.
Por, mediat maqedonase janë duke spekuluar se sot do të jetë pikërisht dita kur kjo krizë pritet të marrë udhën e zgjidhjes. Sipas tyre, pritet që BDI dhe LSMD të mbledhin parlamentin me iniciativën e tyre sot dhe të zgjedhin kryetarin e Kuvendit. Më pas, seanca do të vazhdojë me zgjedhjen dhe votimin e kryeministrit, shkruan Albeu.com.
E gjithë kjo do të bëhet ndërkohë që presidenti Gjorgje Ivanov dhe kryeministri Dimitriev janë jashtë vendit.
Spekulimet në fjalë janë përforcuar edhe nga iniciative që LSDM ka bërë disa orë më parë për mbledhjen e parlamentit ditën e sotme, siç raporton edhe Deutsche Welle.
Mbetet për t’u parë në orët në vazhdim nëse plani mes BDI-së dhe LSDM-së do të realizohet sipas këtyre parashikimeve apo gjithçka do të mbetet thjesht në kuadrin e spekulimeve. /Albeu