Zgjedhje të përbashkëta në maj?! Kovaçevski paralajmëron takim me partitë politike për vendim final

Kryeministri Dimitar Kovaçevski paralajmëron takim me partitë politike në Kuvend në të cilën do të diskutoheshin të gjitha detajet për mbajtjen e zgjedhjeve të përbashkëta në muajin maj vitin e ardhshëm. Sipas kryeministrit, ka hapësirë të mjaftueshme që dy palë zgjedhjet, ato presidenciale dhe parlamentare, të mbahen në një termin. Kovaçevski gjithashtu paralajmëron edhe ndryshim të kodit zgjedhor.

“Lidhur me vendimet finale të cilat duhet të sillen, për mbajtjen e zgjedhjeve, bëhet fjalë për dy vendime. E para është ndryshimi i Kodit Zgjedhor përmes vendosjes të të gjitha vërejtjeve nga OSBE dhe ODIHR. Sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve, planifikoj gjatë periudhës në vijim, sepse dhjetori ofron mundësi të tilla. Të mbahet një takim në Kuvend, ku do të mund t’i definojmë të gjitha detajet për mbajtjen e zgjedhjeve, si ka qenë në të kaluarën ashtu edhe tani”, tha Dimitar Kovaçevski , kryeministër.

Ministri i jashtëm Bujar Osmani thekson që zgjedhjet duhet të mbahen bashkë, me qëllim që administrata të mos angazhohet tre herë në zgjedhje. Sipas Osmanit, organizimi i zgjedhjeve nuk është punë e lehtë dhe ka harxhime.

“Për arsye logjistike dhe financiare, edhe mos me i lodhë njerëzit shumë, mendojmë që është më praktike, të jenë bashkë. Tani ju duhet ta detyroni administratën fillimisht, ta futni nëpër komisione zgjedhore dhe dy herë, ose nëse ka dy cikle, dy raunde zgjedhore, tre herë i bie të dalin administrata në zgjedhje. Njerëzit i detyroni të votojnë tre herë. Nuk është punë e lehtë ajo, harxhime”, deklaroi Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme.

Sa i përket kryeministrit teknik i cili do të jetë me propozim të BDI-së, Osmani thotë se tanimë kanë filluar të shqyrtojnë emra të caktuar por duke mos saktësuar se kush është në lojë.

Se zgjedhjet do të mbahen në maj dje e potencoi edhe zv.kryeministri i parë Artan Grubi. Sipas tij, Qeveria teknike duhet të fillojë të funksionojë diku në fund të muajit janar.

“Pritet që qeveria teknike në përputhje me marrëveshjen mes partive politike të realizohet diku në fund të janarit. Mos më zini për fjalë për datën e caktuar. Ka hapësirë të mjaftueshme në fillim të majit të mbahen bashkë zgjedhjet presidenciale me parlamentaret, dmth në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale”, tha Artan Grubi, zv.kryeministër.

Për zgjedhje të përbashkëta vazhdimisht kanë bërë thirrje edhe partitë opozitare, si VMRO-DPMNE ashtu edhe fronti opozitar shqiptar. Arsyeja për këtë është se mes dy palë zgjedhjeve ka një afat shumë të shkurtër kohor prej vetëm një muaj e gjysmë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu