Edhe pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni, që pritet të mbahen më 11 dhjetor.
Por, përçarja e votës shqiptare vazhdon të mbetet në horizont, pasi ka një numër të madh partish të cilat garojnë për një elektorat të vogël.
Analistët dhe njohësit e politikës në Maqedoni vlerësojnë se e tërë kjo situatë mund të kontribuojë bindshëm në dobësimin e faktorit shqiptar.
Analisti Blerim Hyseni, thotë se ndarja e votës shqiptare në shumë parti do ketë kundra efekt, pasi vetë sistemi në vend është në disfavor të partive të vogla. Një votë e shkuar kot për parti të vogla, e cila nuk do rezultonte me deputet, me automatizëm hyn në konto të partive të mëdha maqedonase.
“Sistemi zgjedhor në Maqedoni nuk favorizon partitë e vogla dhe si rrjedhojë, votat e partive të vogla, ato pak vota që grumbullojnë dhe arrijnë të marrin, shkojnë në konto të partive politike maqedonase”, ka thënë Hyseni.
Ndërsa profesori universitar Ismet Jonuzi Krosi thotë se fillimi i dobësimit të votës është nga fragmentizimi i partive të mëdha, që më pas partitë e vogla të dalin me oferta megalomane, të cilat vështirë se do ta bindin votuesin.
“Vota fragmentizohet dhe ca vota me të vërtetë do të digjen. Por ato vota që do të digjen do të jenë humbje për ne si shqiptarë për t’u përfaqësuar në parlamentin e Republikës së Maqedonisë”, thotë Jonuzi.
Sipas Jonuzit, përçarja e votës do të humbte nëj numër të madh deputetësh shqiptarë dhe do të zëvendësohen me deputetë maqedonas.
Zgjedhjet në Maqedoni të shtyra disa herë, pritet ta shtyjnë para vendin pas një ngërçi politik, mirëpo mbetet të shihet nëse kjo shtyrje do të jetë në favor të shqiptarëve dhe mirëqenies së tyre ekonomike, sociale e juridike, apo vota e tyre do të shpërndahet dhe nuk do të arrijnë të kenë përfaqësim të fuqishëm.










