Kryeministri Edi Rama pa publikuar sot në Facebook pamje nga ecuria e punëve në kantierin për zgjerimin e kapaciteteve ankoruese në Portin e Peshkimit në Durrës. Rama bën me dije se se Porti i Peshkimit do të integrohet në vijim me Portin e Ri Turistik.
“Ky është kantieri për zgjerimin e kapaciteteve ankoruese në Portin e Peshkimit Durrës, një investim i rëndësishëm që po zbatohet nga Ministria e Bujqësisë si reagim ndaj një kërkese këmbëngulëse të komunitetit të peshkatarëve. Porti i Peshkimit do të integrohet në vijim me Portin e Ri Turistik, duke u bërë i aksesueshëm nga banorët, vizitorët, turistët e qytetit bregdetar, përmes një aksi këmbësor me njësi shërbimesh dhe me Markatën e Peshkut, e cila përbën një atraksion më vete në qytetet turistike bregdetare”, shkruan Rama.
Projekti i ri për shtimin e kapaciteteve ankoruese në Portin e Peshkimit Durrës do t’i japë një hap të ri zhvillimi sektorit, në eksporte dhe punësim. Sipas projektet të hartuar tashmë nga MBZHR, investimi që pritet të zbatohet së shpejti do të konsistojë në “shtimin e kapaciteteve ankoruese në Portin e Peshkimit Durrës (Bankinë) Loti 1” sipas normativave të projektimit për porte do të shihen mundësitë për të rritur kapacitetin aktual të anijeve që ankorohen.
Porti i peshkimit Durrës ndodhet në jugperëndim të valës së kalatës (kalata 1) të portit tregtar. Aktualisht në këtë port ankorohen rreth 60% e anijeve të peshkimit që bëjnë pjesë në flotën e peshkimit të Durrësit. Zgjerimi i hapësirës ankoruese sipas MBZHR është menduar duke krijuar mundësi optimale ankorimi në pjesën veri-perëndimore me një gjatësi 200m duke e kthyer atë segment nga skarpate guri me koeficient pjerrësie 1ː1 (gjë që e vështirëson shumë ankorimin e anijeve) në skarpatë vertikale betoni të shfrytëzueshme për ankorim.