Zjarri përfshiu magazinën e akulloreve! Pronarët: Dëmi €1.5 milion, zjarrfikësit: S’kishte ujë në hidrantë

Erërat e forta mesditën e djeshme rindezën zjarrez në Çuçer Sandevë. Kjo ishte fatkeqësi për magazinën e akulloreve, të cilën e kaploi flaka.

Një ditë më pas shihet pasojat.

Mbetje të frigoriferëve dhe pako të akulloreve gjysmë të shkrira.

“Për më shumë se 12 orë ekipet e zjarrfikësve po përpiqen të shuajn zjarrin këtu në magazinën e akulloreve në zonën e Çuçer Sandevës, ku nga flakët e marra dje e kaploi këtë objekt. Sipas pronarit mbi 1,5 milion euro është shkaktuar dëmi material. Ekipet e zjarrfikësve po përpiqen të shuajnë edhe një vatër zjarri që ka mbetur në këto hapësira dhe era e fortë po e ndihmon atë që mos të fiket plotësisht”, raporton Adnan Qaili, gazetar.

Nga Brigada e Zjarrfikësve të Shkupit thonë se zjarri ka rënë dje nga ora 14 dhe që atëherë po intervenojnë që ta shuajnë plotësisht. Sipas tyre, degëzimi i barit të gjatë të kapur në objekt ka bërë që flaka të përçohet nga fusha e thatë deri te muri i magazinës. Zoran Dimitrievski tha se në këtë objekt nuk ka funksionuar sistemi i hidrantëve për shuarjen e zjarrit.

“Po shikoj se janë aktivizuar aparatet kundër zjarrit, hidrantët nuk i shoh. Nuk hy në atë pjesë se ju takon atyre se përse nuk kanë, unë mund të flas vetëm për punët tona. Përse nuk kanë funksionuar është pikëpyetje, ka pasur pompa dhe kur është ndal rryma pompat nuk kanë funksionuar, nuk e di! Por, siç po e shihni hidrantin këtu nuk ka ujë!”, pohoi Zoran Dimitrievski, Brigada e Zjarrfikësve – Shkup.

Pronarët nuk deshën të flasin para kamerës, por njëri prej tyre na tha se pompat nuk u aktivizuan për shkak se zjarri ka shkyçur edhe energjinë elektrike. U shpreh po ashtu se gjysma e magazinës u shkrumbua dhe gjysma tjetër do të jetë jashtë funksionit për gjatë kohë.

Nga kompania “Frikom” kumtuan se qendra e shpërndarjes që furnizon të gjithë Maqedoninë u dogj. Shtuan se falë reagimit të shpejtë të shërbimeve, nuk pati të lënduar dhe të gjithë punonjësit janë mirë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu