Zv.kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq qëndroi për vizitë zyrtare në Shqipëri

Gjatë vizitës në Shqipëri zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq takoi Kryeministrin Edi Rama si dhe Presidentin Ilir Meta. Rama në një njoftim të shkurtër në rrjetet sociale thotë se takimi shkoi mirë dhe ata ranë dakord në çdo pikë.

Kënaqësi e posaçme takimi i parë me zv.kryeministrin shqiptar të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, me të cilin kaluam si dy miq të vjetër dhe patëm dakordësi në çdo pikë”,-shkruan Rama. Kreu i Shtetit shqiptar e përgëzoi zëvendëskryeministrin Abazoviq për përparimin që ka shënuar Mali i Zi, veçanërisht sa i përket procesit të integrimit europian, aq jetik për të gjitha vendet e rajonit.

Presidenti Meta shprehu dëshirën, që bashkëpunimi i mirë, që ekziston midis dy vendeve tona, të përshpejtohet dhe të thellohet më tej në të gjitha fushat, duke patur si objektiv parësor ndërlidhjen gjithnjë e më të mirë mes qytetarëve në të dy anët e kufirit. Kreu i Shtetit shqiptar theksoi se partneriteti në NATO duhet të frymëzojë marrëdhënie më të ngushta dhe të afërta ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe se të dy Qeveritë i kanë të gjitha mundësitë ta modelojnë këtë bashkëpunim në përçim të vlerave më të mira të Aleancës.

Presidenti Meta apeloi për një përfaqësim më përfshirës dhe më të drejtë të shqiptarëve në institucionet qendrore dhe lokale të Malit të Zi. Gjatë takimit, Presidenti Meta i kushtoi vëmendje të veçantë disa projekteve konkrete në mbështetje të zonave ku banojnë shqiptarët, siç janë: hapja së shpejti e Pikës se Kalimit Kufitar në Grabon, mundësia e bashkëpunimit për hapjen e Pikës së Kalimit Kufitar Skje – Zogaj, rindërtimi i shkollës së djegur në fshatin Dacaj në Rozhajë, ura mbi lumin “Buna”, që do të lidhte Velipojën me Shtojin, përmirësimi i infrastrukturës rrugore në Plavë dhe Guci, konkretisht rregullimi i rrugës për në fshatin Hot në Plavë, hapja e disa pikave kufitare në këtë zonë si edhe në Ulqin, rregullimi i çështjes se shtetësive të shtetasve shqiptare të martuara në Mal të Zi, si dhe punësimi i shqiptarëve në institucionet qendrore dhe lokale.

Presidenti Meta shprehu kënaqësinë që faktori shqiptar në Mal të Zi vazhdon të kontribuojë pozitivisht dhe në mënyrë të qëndrueshme në të gjitha proceset demokratizuese dhe zhvillimore, duke qenë faktor kyç për qasjen euro-atlantike dhe europiane të vendit.

Të shtohen përpjekjet për rrugëtim më të shpejtë të Malit të Zi drejt BE

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq ka dhënë pëlqimin në propozimin e Kryeministrit Zdravko Krivokapiq mbi kandidatin për ambasador në misionin e Malit të Zi pranë BE me seli në Bruksel, është kumtuar nga kabineti i presidentit. Gjukanoviq dhe Krivokapiq gjatë takimit të sotëm janë darkorduar rreth nevojës së shtimit të përpjekjeve të organeve shtetërore dhe subjekteve të shoqërisë, për përshpejtimin e reformave, arritjen e standardeve me qëllim të krijimit të parakushteve për integrimin më të shpejtë të Malit të Zi në BE.

Gjukanoviq dhe Krivokapiq kanë biseduar sot edhe për rëndësinë e rrugës evropiane të Malit të Zi dhe për domosdoshmërinë e dinamizimit të procesit negociues.

“Lidhur me këtë presidenti ka dhënë pëlqimin në propozimin e kryeministrit për kandidatin e Malit të Zi pranë misionit në BE, me seli në Bruksel”, thuhet në kumtesë. Të përkujtojmë se nga 18 ambasadorë, të cilët i ka propozuar Ministria e Punëve të Jashtme, presidenti për 11 prej tyre ka dhënë mendim negativ, kurse 7 të tjerë kanë marrë pëlqimin e shefit të shtetit që të emërohen ambasadorë.

Në Ulqin për herë të parë u fal namazi i Kurban Bajramit në ambient të hapur

Për herë të parë në Ulqin besimtarët e shumtë patën mundësi të Falin namazin e Kurban Bajramit në ambient të hapur , ku reisi i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Rifat Fejziq udhëhoqi besimtaret në lutjet e tyre. Të gjitha xhamitë e Ulqinit kanë qenë të mbyllura, dhe Imamët e këtyre xhamive kanë qenë prezent në faljen e Namazit të kurban Bajramit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu