Shefi i Zyrës së Presidencës, Blerim Vela ka reaguar ndaj një deklarate të drejtorit të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq se një numër i madh i kishave serbe në Kosovë kanë qenë të ekspozuara nga “sulmet dhe përdhosjet”.
Vela ka thënë se zyrtarët e Serbisë po vazhdojnë fushatën e tyre dezinformuese.
Sipas tij, këto pretendime të pabaza vetëm i rrisin tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Zyrtarët e Serbisë vazhdojnë fushatën e tyre disinfo me pretendime të pabaza, të cilat vetëm rrisin tensionet ndërmjet vendeve tona. #Kosova ka një histori të dëshmuar prej shekujsh të harmonisë ndërfetare dhe është e përkushtuar për të mbrojtur trashëgiminë e saj kulturore / fetare”, ka shkruar Vela në Twitter.
Petkoviqi është takuar dje me patriarkun serb Porfirio lidhur me situatën në Kosovë dhe mbrojtjen e rinovimin e kishave ortodokse serbe.
“Sulmet në tempujt tanë janë të drejtuara te dëbimi i serbëve nga vendet tona qindravjeçare, duke fshirë të kaluarën dhe shpirtëroren, në mënyrë që të shkatërrojnë çdo gjurmë të historisë së popullit serb”, kishte thënë Petkoviqi.









