Zyrtarët e BE-së – Hotit: Heqja e vizave s’është primare

Heqja e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, siç duket është një proces që nuk pritet të përfundojë së shpejti. Kështu të paktën i kanë bërë me dije zyrtarë të Bashkimit Europian kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit, gjatë vizitës që pati në Bruksel.

Për më shumë se një dekadë qytetarët e Kosovës janë në pritje për heqjen e vizave, e pavarësisht se vendi ka plotësuar të gjitha kushtet, ky premtim i BE’së nuk u realizua.

Mirëpo një vendim i tillë siç duket nuk do të merret shpejt nga Këshilli Europian, e kjo u bë e ditur edhe në vizitën e Kryeministrit Hoti në Bruksel.

Në një lidhje direkte për Radiotelevizionin e Kosovës, gazetarja Xheraqina Tuhina ka bërë të ditur se heqja e vizave nuk është çështje primare për zyrtarët europian.

Këta të fundit, së pari po kërkojnë rikthimin e Kosovës e Serbisë në tavolinën e dialogut, ku me çdo kusht po kërkojnë që një proces i tillë të udhëhiqet dhe ndërmjetësohen nga ata.

Ndërkaq sot nga dy shtetet më të fuqishme në union, Franca e Gjermania, u pohua se janë të gatshëm për të filluar dialogun mes dy vendeve sa më parë që është e mundur.

Madje, presidenti francez Emmanuel Macron pritet që të mbajë Samitin e Parisit, ku do të marrin pjesë zyrtarë nga të dyja vendet.

Sa i përket çështjes së vizave, Këshilli Europian nuk po jep një vendim final rreth kësaj çështje duke e zvarritur më tej, si dhe duke kërkuar që vendi të plotësojë edhe të tjera kushte, si ajo kundër korrupsionit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu