Zyrtari gjerman këshillon Kurtin: Ja si duhet të veprosh me Vuçiqin

Kryetari i Rinisë Paneuropiane në landin e Bavarisë dhe nënkryetari federal i Rinisë Paneuropiane në Gjermani, Christian Hoferer, ka folur për takimin e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të zhvilluar më 19 korrik në Bruksel.

Ai ka thënë se ishte i pritshëm kundërshtimi i Serbisë, ndaj propozimit të bërë nga pala e Kosovës. Në këtë takim, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i ka kërkuar presidentit serb Aleksandar Vuçiq, që të nënshkruajë një Deklaratë të Paqes ndërmjet të dyja vendeve. Por Vuçiq, pos kësaj, ia ka refuzuar Kurtit edhe librat për tri gjenocidet serbe mbi shqiptarët.

E sipas zyrtarit gjerman, një veprim i tillë nga Vuçiqi nuk ishte befasi. Duke folur për gazetën “Bota sot”, Hoferer ka theksuar se dialogu duhet të sjellë përparime.

“Nga këndvështrimi im, pritej, pa ndonjë befasi, që propozimi i bërë nga pala e Kosovës do të përballej me refuzim nga pala serbe. Palët e përfshira duhet të sigurohen që dialogu gjithashtu të sjellë ndonjë përparim”, ka thënë Hoferer.

Ai ka këshilluar kryeministrin Kurti që të bisedojë me partnerët ndërkombëtarë, për refuzimin e Vuçiqit.

“Unë do ta këshilloja qeverinë e Kosovës që të flas me partnerët e saj ndërkombëtarë. Ata kanë mundësinë të kenë ndikim në qeverinë serbe përmes instrumenteve të ndryshme”, është shprehur më tej Christian Hoferer.

Ai ka kërkuar që krimet serbe në Kosovë të hetohen nga shkencëtarët ndërkombëtarë, madje edhe ligjërisht, përmes një gjykate ndërkombëtare për Serbinë.

“Proceset e diskutuara nuk janë thjeshtë ndjenja subjektive, por objektivisht krime të rënda. Këto krime kërkojnë hetim të plotë. Shkencërisht, veçanërisht nga shkencëtarët ndërkombëtarë. Në rastin më të mirë, megjithatë, edhe ligjërisht, përmes një gjykate ndërkombëtare për Serbinë”, ka theksuar Hoferer për “Bota sot”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu