NATO, përmes KFOR-it, mbetet e angazhuar për një mjedis të sigurt në Kosovë dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor, thotë kreu i Zyrës Ndërlidhëse të NATO-s në Serbi, Cesare Marinelli.
Ai në një intervistë për portalin “European Western Balkans” ka shprehur keqardhje për votimin e pakos së ligjeve rreth procesit të tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri.
“Ky vendim është bërë përkundër shqetësimit të shprehur nga NATO-ja, ndonëse tranzicioni i Forcave të Sigurisë së Kosovës është në parim çështje në të cilën vendos Kosova, kemi bërë të qartë se nuk është një moment për një lëvizje të tillë”, tha Marineli, transmeton Klan Kosova.
Sipas tij, duke pasur parasysh ndryshimin në mandatin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, Këshilli i Atlantikut të Veriut tani do të duhet të shqyrtojë nivelin e bashkëpunimit të NATO-s me këto forca, transmeton Klan Kosova.
Marinelli i bëri thirrje të gjithë akterëve politikë përgjegjës në rajon të përqëndrohen në përparimin e reformave dhe në dialog.










