1914, masakrat greke që asnjë ‘shtetar’ s’i mban mend

Detyrimi që unë po shkruaj rreth këtyre krimeve të planifikuara antinjerëzore të kryera në ato vite nga ushtria e rregullt e shtetit grek, nuk vjen për faktin se unë jam nga ajo zonë, as për faktin se në mes të 375 personave të masakruar nga data 2 deri në 10 Korrik të vitit 1914 në fshatin Panarit të Korçës, 25 persona i përkasin të parëve të familjes sime të cilët janë djegur të gjallë nga ushtria greke në shtëpinë e Rrape Vilës në lagjen Vilë.

Por më shumë jam i shqetësuar për qëndrimin antikombëtar dhe antinjerëzor të vetë shtetit shqiptar dhe të gjitha qeverive të tij të mëparshme qysh nga kryerja e Genocidit Grek dhe deri më sot.

Megjithëse ka kaluar më shumë se një shekull, jo vetëm që nuk e kanë denoncuar në organizmat ndërkombëtare Genocidin e Shtetit Grek, jo vetëm që nuk e kanë pasqyruar saktësisht në Historinë e Shqipërisë, jo vetëm që nuk kanë një statistikë të saktë ose të përafërt të popullsisë të masakruar nga ushtria greke në fshatrat dhe qytetet ku është kryer ky genocid, jo vetëm që nuk kanë një datë përkujtimore, një vend për të vendosur lule, për të ndezur një qiri e për t’i qarë, mungojnë varret dhe gurët e varreve në tokën tonë plot gurë e kështu s’ka shenjë respekti për shpirtrat e të pareve tanë të masakruar.

Ja këto janë arsyet që unë kam shkruar, po shkruaj dhe do të shkruaj deri sa shteti im i shenjtë të çoj në vend nderin, dinjitetin, dhe të drejtën e paraardhësve tanë të masakruar barbarisht në tokën tonë, në shtëpitë e vatrat tona.

Genocidi që shteti grek ka kryer ndaj popullit tonë në vitet 1913-1914 e në vazhdim, ndonëse është historia më e dhimbshme e popullit tonë ka ngelur jetime nga shteti, por që është ruajtur dhe trashëguar brez pas brezi nga kujtesa e individëve, familjeve e fiseve dhe e zonave që kanë përjetuar këto krime antinjerëzore.

Po ashtu duhen vlerësuar dhe respektuar në maksimum shkrimet e autorëve në gazetat shqiptare dhe të huaja të asaj kohe, si dhe librat që kanë pasqyruar këtë periudhë si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu edhe në Evropë, të cilët kanë dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme duke shkruar deri në intimitet ngjarjet makabre të kryera nga shteti grek.

Informacione dhe statistika që fatmirësisht janë dëshmi të vetme, por është një fatkeqësi e madhe për kombin shqiptar që nuk janë studiuar, hulumtuar, saktësuar dhe pasqyruar me hapësirën e nevojshme dhe me vërtetësi në Historinë e Popullit Shqiptar dhe në statistikat e gjenocidit botëror.

Masakrimi i popullsisë civile nga ushtria greke në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë jug-lindore në vitet 1913-1914 në Përmet, Leskovik, Kolonjë, Korçë, Tepelenë, Memaliaj, Skrapar, Berat, Gjirokastër, Sarandë, Delvinë etj., pa dallim fetar, myslimanë dhe të krishterë, të moshuar, burra dhe gra, të rinj, fëmijë e të mitur, është bërë në mënyrën më makabre që ka parë e dëgjuar historia botërore ndonjëherë. U kanë çarë barkun me kama dhe thika nënave shtatzëna dhe janë tallur para tyre me fëmijën e gjallë, të palindur.

Me sëpata u kanë prerë kokat fëmijëve e të rriturve, me thika e hanxharë u kanë çarë barkun për së gjalli duke u thëne se me zorrët e tyre do t’i varin, u kanë prerë për së gjalli gjymtyrët, i kanë djegur e i kanë hedhur në pus të gjallë duke vazhduar edhe me torturime psikike.

Ushtarët grekë i lidhnin me zinxhirë e litar burrat dhe në sytë e tyre u çnderonin nënat, nuset dhe vajzat e mitura ku edhe vdisnin.

Dogjën me mijëra e mijëra shtëpi, në fshatra e qytete, vodhën barbarisht të gjithë pasurinë që kishte kjo zonë në shtëpitë e tyre, grabitën bagëtitë e shumta dhe prodhimet bujqësore, dëme dhe vjedhje që i kalojnë me qindra miliona dollarë.

Të gjitha këto dëbime e masakrime të kryera nëpër fshatrat e qytetet juglindore të Shqipërisë, bazuar në Rezolutët e Asamblesë të Përgjithshme të OKB – 260A që hyri në fuqi më 12 Janar 1915, klasifikohen Genocid për spastrim etnik.

Megjithëse popullsia e Shqipërisë Juglindore në ato vite pësoi dëme të pallogaritshme, rreth 50. 000 njerëz të vrarë e të dëbuar, dëme materiale si: shtëpi të djegura, pasuri të grabitura që shkojnë me qindra miliona dollarë, të kryera nga masakrat dhe vjedhjet e ushtrisë greke, si dhe nga largimet e detyruara të individëve, familjeve dhe fshatrave, në vende të tjera të Shqipërisë por edhe jashtë vendit, si në Bullgari, Rumani etj., mbijetoi në këto zona për shumë dekada duke përjetuar në vazhdimësi dhimbjet e tmerrit e fukarallëkun që këto krime u shkaktuan, por mbi të gjitha ata vuajnë indiferentizmin e pazakontë të shtetit shqiptar.

Është e pabesueshme, por ka fshatra të këtyre zonave që edhe në ditët tona, siç është fshati Panarit i Korçës, të lënë plotësisht në harresë, që asnjëherë në jetën e tyre nuk kanë pasur dhe nuk kanë edhe sot e kësaj dite rrugë automobilistike.

Ka kaluar një shekull e megjithëse jetojmë në kohën e globalizimit, ngjarjet kriminale të atyre viteve ende edhe sot populli shqiptar i kësaj zone i administron dhe i ruan brez pas brezi në kujtesën e tij, ndërsa Shteti shqiptar vazhdon të heshtë duke vrarë çdo ditë kujtesën kombëtare.

Të gjitha regjimet jetëgjata shqiptare, mbas kryerjes të krimeve greke në Shqipërinë Juglindore në vitit 1913-1914, si Zogu edhe Enveri, dhe çuditërisht edhe mbas viteve 1990, çështjen për të cilën unë po shkruaj nuk e kanë marrë asnjëherë në konsideratë dhe nuk është pasqyruar plotësisht dhe drejt. Historianët shqiptarë brez pas brezi, kur shkruajnë apo flasin për situatën e brendshme të Shqipërisë për ato vite, vërtiten e përpëliten rreth Princ Vidit, Haxhi Qamilit, Esat Pashës e pinjollëve të tyre.

Edhe ata historianë shqiptarë që kanë studiuar e pasqyruar qëndrimin e ndërkombëtarëve të asaj periudhe, kanë shkruar mijëra faqe në libra, në broshura dhe në gazeta, situatën e vështirë që Shqipëria po kalonte në ato vite mes ndarjes dhe ekzistencës, veçanërisht nga fqinjët tanë, por është i çuditshëm fakti që asnjë historian shqiptar që ka studiuar atë periudhë, situatën e brendshme ashtu dhe atë të jashtme, nuk kanë shkruar fare për Genocidin e ushtrisë greke që donte të realizonte pastrimin etnik ndaj popullsisë shqiptare duke dëbuar e vrarë barbarisht popullsinë civile të Shqipërisë Juglindore në vitet 1913-1914 e në vazhdim.

Ka historianë, profesorë në universitetet shqiptare që mbas viteve 2000 kanë gërmuar në arkivat angleze, franceze etj., kanë shkruar, më saktë kopjuar, libra për Vorio Epirin duke fituar ndonjë kacidhe dhe nuk kanë shkruar asnjë fjalë për Genocidin grek që është kryer në ato vite në Shqipëri.

Duke shkruar për Vorio Epirin me dashje kanë manipuluar genocidin që ushtria greke ka bërë në këto zona, pasi bekgraundi i këtyre historianëve intelektualë ka qenë i mjaftueshëm për t’i klasifikuar këto masakra të paktën si krime kundër njerëzimit.

Masaker-kunder-shqiptareve Kohët e fundit kështu si unë kanë shkruar artikuj e libra edhe shume të tjerë ku pasqyrojnë historinë e fshatrave të origjinës nga zona e Shqipërisë juglindore, gjë që është për t’u falënderuar.

Por duhet të theksoj se klasifikimi i trajtimit të krimeve që ushtria e rregullt greke ka kryer në Shqipërinë juglindore në vitet 1913-1914 e në vazhdim, nuk është masakër siç trajtohet nga autorët e shkrimeve dhe të librave të ditëve tona, si p.sh nuk mund të shkruash “Masakra e Panaritit”.

Emërtimi në këtë formë shmang paraqitjen e aparencës së subjektit të krimit që janë grekët.

Jo gjithmonë duhet t’i përmbahesh tradicionales, rregullat e ligjet e shkrimit të historisë janë dhe u përkasin historianëve për t’i zbatuar, por çështja për të cilën unë po shkruaj edhe pse është lënë nga historia shqiptare për 100 vjet në harresë, ajo tashmë është “temperuar” në memorien e popullit tonë.

Për t’jua bërë më të kuptueshme këtë unë po i referohem fshatit tim Panarit të Korçës ku për fat të keq genocidi grek ka qenë në përmasa më të mëdha se çdo zonë apo fshat tjetër.

Kur shkruhen artikuj apo libra nga njerëz me potencial intelektual, influencë shoqërore dhe atdhedashës, me tituj “Masakra e Panaritit”, “Masakra e Hormovës” etj, kuptohen si Masakër mes shqiptarëve dhe pa dashur bie preh e propagandës djallëzore që kane mbjellë grekët në këto njëqind vjet, se shqiptarët janë vrarë midis tyre.

Ne nuk duhet të kursejmë fjalët që plotësojnë përmbajtjen, por duhet t’i shkruajmë korrekt ato: Masakra e grekëve në Panarit, ose Masakra që grekët bënë në Hormovë, Masakrat e grekëve në Frashër, në Kolonjë etj.

Nga ana tjetër është e vërtetë se forma e realizimit të krimit kryesisht është bërë nëpërmjet dëbimit dhe masakrimit, por të gjitha këto raste të veçanta në fshatra apo zona të ndryshme, plotësojnë qëllimin e figurën e krimit që është kryer nga grekët në Shqipërinë Juglindore në vitet 1913-1914 ku siç e përmendëm edhe më lart, klasifikohet Genocid për pastrim etnik nëpërmjet dëbimit dhe masakrimit të popullsisë civile.

Pasqyrimi i krimeve greke ndaj popullsisë civile të Shqipërisë Juglindore deri në vitet 1920 nga autorë shqiptarë dhe të huaj në të gjitha titujt e artikujve, në gazeta e libra te botuara që bënin fjalë për këto krime, gjithmonë në titujt e përmbajtjen e tyre kanë dënuar dhe cituar dukshëm krimet e Greqisë, si p.sh. libri i Kosta Papës “Barbaritë Greke në Shqipëri“.

Në këto kushte qeveria Greke bënte shumë kujdes për krimet që bëri në vitet 1913-1914 e në vazhdim veçanërisht mbas punimeve të Konferencës të Paqes në Paris kur ëndrra Greke për Vorio Epirin mori fund.

Ata për të mos u përballur me ligjet ndërkombëtare, filluan të manipulonin krimet e kryera ndaj shqiptarëve dhe të falsifikonin historinë të cilën e realizuan duke intensifikuar punët agjenturore në mesin e shqiptarëve, veçanërisht me historianë me pagesë, me kërcënime etj., dhe formoi rrjetet informative që ekzistojnë edhe sot në arteriet e Shtetit shqiptar e për rrjedhojë shteti shqiptar jo vetëm që nuk është marrë deri tani me dokumentimin e krimeve që grekët kanë kryer në këtë periudhë në Shqipëri, por është dorëzuar para manipulimeve që kanë bërë historianët shqiptarë, të cilët kanë pasur lidhje me autorët e këtyre krimeve dhe shtetin grek, emrat e të cilëve tashmë dihen.

Kjo vërtetohet edhe nga fakti se asnjë institucion shtetëror, asnjë historian shqiptar apo individ deri më sot, nuk ka marrë në analizë të shkruajë, të studiojë e hulumtojë dhe të krijojë dosjen përkatëse për Genocidin grek të kësaj periudhe në Shqipërinë Juglindore që ne po flasim, qoftë edhe për të mbrojtur ndonjë temë apo diplomë.

Këta historianë “shqiptarë“ filogrekë, ja arritën qëllimit.

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës të Shqipërisë z.Ditmir Bushati, gjatë vizitës në Greqi në takimet që pati më datën 21 Mars 2016 me Presidentin e Greqisë Prokopios Pavlopoulos, Kryetarin e Parlamentit Nikos Voutsis dhe Ministrin e Punëve të jashtme Nikos Kotzias, me deklarimin e tij se shqiptarët dhe grekët duhet t’i zgjidhin problemet dhe mosmarrëveshjet duke filluar që nga Lufta e Dytë Botërore dhe ju referua në thelb çështjes Çame, bëri detyrën.

Por ishte jo korrekt kur Ai si Ministri i Punëve të Jashtme përcaktoi si dysheme kohore të përmirësimit të marrëdhënieve Shqipëri- Greqi vitet e Luftës së dytë Botërore.

Kjo ishte një deklaratë e papërgjegjshme dhe më e rrezikshme se heshtja e ministrave të mëparshëm të shtetit shqiptar. Por çfarë ndodhi?

Në kohën kur të gjithë shqiptarët prisnim reagimin e Qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së z.Bushati që bëri në Athinë dhe korrigjimin e saj, vetë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në Kongresin e PDIU-së që u zhvillua më datën 4 Qershor 2016 me fjalimin e tij, i etur për vota elektorale u paraqit si shpëtimtari i Çamëve dhe po në atë Kongres, në “shtëpinë“ e Çamëve tradhtoi Çamët dhe gjithë shqiptarët kur përsëriti deklaratën e ministrit të tij Bushati, se problemet me Grekët duhet të shikohen që nga viti 1945.

Çamët vërtet duhet të kërkojnë përgjegjësinë që Shteti grek duhet të mbajë për Genocidin që ka ushtruar ndaj kësaj popullsie dhe t’ju kthejë pronat që ja u ka grabitur.

Ata janë shtetas shqiptarë e veçanërisht kur kemi të bëjmë me krime të rënda si ato të genocidit, shteti shqiptar duhet të përgatisë vetë dosjen dhe të përfaqësojë popullin e tij në organizmat përkatëse ndërkombëtare.

Përse ju duhet partia Çamëve? Ata janë njëlloj si panaritasit, si dardharët, si dukagjinasit, si hotianët, si frashërllinjtë, si lebërit, si mitrovicasit, si preshevasit, si malësorët etj, pra janë shqiptarë e shteti ka detyrimet e veta kushtetuese për të mbrojtur interesat e popullit të vet.

Por kur të zë halli, thotë një fjalë e urtë popullore, hapi derën, pasi Çamëve nuk u ka mjaftuar halli që i ka zënë me grekët, por po paguajnë për 72 vjet me radhë e më shumë haraçin e qeverive shqiptare të cilat këtë popullsi shqiptare e shikonin si të dorës së dytë.

I burgosën, i internuan, i vranë dhe i mbanin nën kontroll. Mbas viteve 1990, në sistemin demokratik,Çamët besuan shumë por ranë përsëri në “kurthin e Partive”. Këtë herë në kurthin elektoral të pluralizmit për interesat e votave.

I gënjyen Çamët për çka ata kërkonin dhe i futen “aksionarë” në Industrinë e Partive që në këto 26 vjet fatkeqësisht partitë janë kthyer në Industria më e madhe ekonomike fitimprurëse e pronarëve të tyre në Shqipëri. masakra-e-panarititSi ranë Çamët në kurthin elektoral të partive, kur ata janë njëlloj si gjithë populli ynë shqiptarë: Kujt i intereson vlerësimi ndryshe i çamëve nga popullsia shqiptare? Askujt veç grekëve.

Boll kanë vuajtur çamët, le të aderojnë në partitë shqiptare të majta, të djathta e të qendrës ku ata kanë dëshirë dhe të gjithë si shqiptarët të punojmë të bashkuar për të vënë në punë shtetin shqiptar, pasi Çështja Çame është çështje mbarë kombëtare shqiptare.

Genocidi që shteti Grek ka bërë ndaj popullsisë civile Çame duhet të ndiqet nga shteti shqiptar e jo nga Partia Çame. Shteti shqiptar duhet të jetë autor i përgatitjes të dosjes dhe avokat i çështjes Çame në Hagë, përndryshe shteti quhet “Rrumpallë”.

Deklarata që përmenda më sipër, të Qeverisë Shqiptare dhe të vetë Kryeministrit Rama sjell dëme të interesave tona kombëtare.

Respekti dhe nderimi ndaj shqiptarëve të vrarë e dëbuar nga shteti grek që ka kryer genocid për spastrim etnik në Shqipërinë Juglindore në vitet 1913-1914 e në vazhdim, nuk është vetëm detyrim kushtetues që ju keni si kryeministër, por për të vrarët është edhe detyrim moral, tradicional e njerëzor, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për grekët e mbarë njerëzimin.

Ka kaluar më shumë se një shekull kur janë kryer këto krime nga ushtria greke e udhëhequr nga Elefterios Venizellos, i cili kur e pa se po dështonte në rrugën diplomatike për marrjen e Vorio Epirit, vendosi t’i dëbojë dhe t’i asgjësojë me çdo kusht shqiptarët e këtyre trevave pa dallim; myslimanë dhe të krishterë që nuk pranonin se ishin grekë.

Venizellos, kryeministri i Greqisë, në vitet 1913-1914, përdori me efikasitet diplomacinë, kartën e aleancës me grupin e Antantës, shfrytëzoi lidhjet me shtetet e tjera dhe gjendjen kaotike që solli lufta Ballkanike dhe veçanërisht situatën e pasigurt të asaj kohe në Shqipëri.

Venizellos, disa vite mbasi kishte kryer krimet makabre në Shqipërinë Juglindore, në Konferencën e Paqes më 24 shkurt 1919, ndër të tjera lidhur me këto krime do të shprehej: “…Vrasjet e 15. 000 shqiptareve myslimanë janë bërë nga elementët violentë të krishterë….”.

Pra Venizellos pranon botërisht se ushtria e tij ka vrarë në tokat tona 15.000 shqiptarë, civile të pafajshëm, shifër e cila në realitet është rreth 50.000.

Nga burime të sigurta është vërtetuar dhe bie poshtë teza se këto krime i kryen të krishterët shqiptarë të ndihmuar nga ish të burgosurit e Kretës.

Qeveria e Venizellosit për t’i shpëtuar akuzave që mund të ngriheshin ndaj Greqisë për krime kundër njerëzimit, investoi dhe manipuloi të vërtetën duke ia paraqitur opinionit ndërkombëtar botëror se shqiptarët janë vrarë mes tyre dhe nga kriminelë grekë të pa kontrolluar. Kjo legjendë, që edhe sot serviret si arsye për justifikim, fatkeqësisht është “ngrënë” nga të gjithë syleshët tanë pushtetarë.

Çka thotë Venizellos asgjë nuk është korrekte sepse është vërtetuar me prova të sigurta, dëshmi dhe me dokumente se ushtria e Greqisë, pas tërheqjes së detyruar nga ndërkombëtarët që Ajo bëri nga tokat shqiptare në vitin 1913, u rikthye përsëri në tokat tona në Janar 1914, por këtë herë ushtria e rregullt ishte e veshur me uniforma civile dhe e shoqëruar edhe nga priftërinjtë e kishës greke të cilët ishin pjesëmarrës aktivë në këto krime.

Krahas armatimit personal ushtarët grekë ishin të pajisur edhe me mjete të dhunshme fizike, si kama, hanxharë, thika etj., për të masakruar e vrarë barbarisht popullsinë civile, për të mbjellë tmerr dhe frikë tek shqiptarët me qëllim që ato familje që kishin ikur nga shtëpitë ku jetonin, të mos ktheheshin më.

Njëkohësisht qeveria Venizellos para ndërkombëtarëve do të justifikonte se këto krime janë kryer nga persona civilë dhe jo nga ushtria greke. Kështu grekët e realizuan gjenocidin dhe e manipuluan atë për t’ju shmangur gjykimit të drejtësisë dhe turpit në arenën botërore.

Ky “sukses “ i grekëve fatkeqësisht është ndihmuar edhe nga vetë shteti dhe qeveritë shqiptare të cilët për të qëndruar në pushtet të zhytur e të baltosur në injorancë e tradhti, na kane turpëruar si komb për një shekull të tërë duke harruar të vrarët dhe u kanë dhënë lavdi krimineleve dhe shtetit grek.

Ndër kohë, krimet që ushtria greke i ka kryer në Shqipërinë Juglindore në vitet 1913-1914 nga studio prestigjioze ligjore amerikane, angleze, etj., janë klasifikuar “Genocid për spastrim etnik”. E pra, të nderuar pushtetarë, Genocidi që ushtria Greke kreu ndaj popullsisë civile të Shqipërisë Juglindore në vitet 1913-1914 është arsyeja dhe koha kur marrëdhëniet e mira të bashkëpunimit fqinjësor që ekzistonin me grekët u gjakosën.

Në këto vite janë prishur marrëdhëniet nder vëllazërore midis Shqipërisë dhe Greqisë. Këtu në vitet 1913-1914 është koha për t’i zgjidhur problemet me Greqinë. *Drejtor i Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës./nga Gani Vila


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu