Ministri i ri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, ka formuar Komisionin Profesional për shqyrtimin e rasteve të pacientëve me sëmundje malinje në Klinikën Universitare të Hematologjisë në Shkup, por në përbërjen e tij nuk është emëruar asnjë mjek shqiptar, shkruan gazeta KOHA.
Sipas vendimit të nënshkruar nga ministri Klekovski më 21 korrik 2026, komisioni përbëhet nga pesë anëtarë dhe pesë zëvendësanëtarë, gjithsej dhjetë persona. Megjithatë, në mesin e tyre nuk figuron asnjë mjek shqiptar.
Për kryetar të komisionit është emëruar prof.dr. Zllate Stojanovski, ndërsa anëtarë janë prof.dr. Aleksandra Pivkova Velanovska, prof.dr. Sasha Trajkova, dr. Llazar Çadievski, prof.dr. Rubens Jovanoviq dhe prof. dr. Igor Stojkovski. Zëvendësanëtarë janë prof.dr. Sonja Genadieva Stavrikj, dr. Marija Popova Labçevska, prof.dr. Simonida Jovanovska dhe prof.dr. Slavica Kunovska.
Vendimi parasheh që komisioni të ketë mandat dyvjeçar dhe të shqyrtojë rastet e pacientëve me sëmundje malinje, duke dhënë rekomandime për diagnostikimin dhe trajtimin e tyre.
Mungesa e mjekëve shqiptarë në këtë trup profesional ka ngjallur reagime, pasi bëhet fjalë për një komision me rol të rëndësishëm në vendimmarrjen për trajtimin e pacientëve me sëmundje malinje. Përbërja e re njëetnike ngre gjithashtu pikëpyetje lidhur me respektimin e parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në institucionet publike shëndetësore.











