3 gola në 4 ndeshje, Mauro Icardi është “snajper” edhe në Champions

Nuk mund të përfundojë gjithmonë si kundër Tottenhamit për Interin, por tashmë arriti të rrëmbejë edhe barazimin ndaj Barcelonës, kur gjithçka dukej e paqartë. Dhe është si një fitore për të besuarit e trajnerit Spalletti. Zikaltrit janë tani të dytët në grupin B, me 7 pikë në renditje.

Jo keq për një ekip, që ka munguar në këtë kompeticion për gati shtatë vite dhe e ka gjetur veten në një grup të hekurt. Meritë e punës së Luciano Spallettit dhe një merkatoje të mençur të dy viteve të fundit, pa dyshim. Por, ai që merr “aureolën” e kësaj ecurie është gjithmonë Mauro Icardi, kapiteni zikaltër.

Ajo e së martës mbrëma, kundër Barcelonës, ishte një lojë e vështirë për të gjithë ekipin, veçanërisht për atë. Disa topa mori nga shokët e ekipit, por shpesh e pa veten të izoluar në sulm, në “kthetrat” e Pique dhe Lenglet. Megjithatë, në topin e parë të një lloji të caktuar, argjentinasi ka “gërvishtur” pothuajse në fund, duke shënuar një gol me rëndësi jetike për fatin e Ligës së Kampionëve.

Në fund të lojës, duke analizuar statistikat e tij, konstaton: 21 kontakte me topin, 16 pasime, 3 prekje topi në zonën e rreptësisë kundërshtare, 1 goditje në portë, 1 gol. Pothuajse në hije, por e errësoi Barcelonën në momentin e përkryer.

Sepse Mauro Icardi shpesh është i tillë. Në fund të ndeshjes, Mauro e ka treguar të gjithë karakterin e tij me këtë deklaratë: “M’u duk e njëjta ndeshje si kundër Tottenhamit. Pësuam gol, por nuk u dorëzuam, derisa barazuam në fund. Do të doja shumë të kishim fituar si kundër londinezëve, por jo. Gjithmonë mund të përfundojë në këtë mënyrë.

Ky, tashmë, është një rezultat i mirë. Natyrisht, kemi vuajtur, sepse kemi luajtur kundër ekipit më të fortë në botë. Ne kemi bërë gjëra të mira dhe gjëra më pak të mira. Kemi humbur disa topa në fazën e ndërtimit të aksioneve, por do të përmirësohet”.

Në përvojën e tij të parë në Ligën e Kampionëve, pasi gjithmonë shënon në Seria A, Mauro Icardi është tashmë në kuotën e 3 golave në 4 ndeshje. Për të nuk bën dallim, në të vërtetë, nëse është e mundur të bëjë më mirë në këtë fazë. Por, sytë e tij shohin më larg, së paku te raundi i dytë i Champions-it, te faza me eliminim direkt.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu