Përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Bruksel nuk kanë arritur konsensus për të hapur grupkapitullin 3 në negociatat e anëtarësimit me Serbinë, e cila nuk ka hapur asnjë kapitull të ri që nga fundi i vitit 2021.
Sipas gazetës KOHA.net, përkundër faktit se Komisioni Evropian dhe Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, rekomanduan dhe bënë presion pozitiv për hapjen e këtij grupkapitulli – duke vlerësuar reformat e Serbisë dhe angazhimin e saj në dialogun me Kosovën – të paktën nëntë shtete anëtare u shprehën kategorikisht kundër. Holanda, Suedia, Belgjika, Finlanda, Kroacia, Bullgaria dhe tri vendet Baltike (Estonia, Lituania, Letonia) refuzuan hapjen, me vlerësimin se raporti i Komisionit nuk pasqyron realitetin në Serbi.
Në anën tjetër, Parlamenti Evropian mban një qëndrim krejtësisht ndryshe nga Komisioni. Përmes një rezolute të miratuar me shumicë votash (468 pro), PE-ja ka kritikuar ashpër Serbinë për prapakthim në sundimin e ligjit, forcim të raporteve me Rusinë dhe presione ndaj mediave. Raportuesi për Serbinë në PE, Tonino Piculla, nënvizoi se nuk mund të ketë përparim në negociata pa u sjellë para drejtësisë përgjegjësit e sulmit terrorist në Banjskë, duke kërkuar madje edhe pezullimin e fondeve evropiane për Beogradin./INA/










