Zaev: Po nuk dolën qytetarët në referendum, vendosim ne (VIDEO)

Kryeministri Zoran Zaev i bën thirrje qytetarëve që të dalin në referendum dhe të vendosin për të ardhmen e Maqedonisë. Zaev shtoi se përgjegjësia është e përbashkët dhe se opsion tjetër nuk ka.

Ju bëj thirrje të gjithë juve që të votoni lirshëm dhe me krenari. Të thoni “po” që t’i kapim mundësitë që na i ofron Evropa. T’i themi po garancisë dhe stabilitetit përmes anëtarësimit në NATO. T’i themi identitetit të njohur dhe të konfirmuar maqedonas, gjuhës dhe kulturës. Koha është për vendim, për ne, për gjeneratën e ardhshme, të ardhmen tonë dhe të ardhmen e Maqedonisë” – deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër.

Zaev edhe sot përsëriti qëndrimin se në rast se qytetarët nuk vendosin në referendum, përgjegjësia kalon tek institucionet, në këtë rast te Kuvendi.

“Nëse qytetarët konsiderojnë se pyetja për këtë çështje është e rëndë, nuk janë mjaft të informuar mund të vendosin dhe të qëndrojnë në shtëpi, pavarësisht cilës parti i takojnë. Por vlerësoj se kësaj radhe kjo nuk është e lejuar. Në këta situatë ata ia besojnë vendimin institucioneve. E them këtë sepse me të gjithë juristët dhe faktorët në shtet dhe jashtë, por edhe të gjithë ata që interpretojnë ligjin dhe Kushtetutën vlerësojnë se duhet kështu. Por as që dua të mendoj çka nëse, sepse kjo ndikon tek qytetarët. Apeloj edhe njëherë, përgjegjësia është e secilit” – theksoi Zoran Zaev, Kryeministër.

I pari i organit ekzekutiv nuk beson se VMRO-DPMNE-ja do ta bojkotojë, publikisht ose në heshtje referendumin. Zaev i bëri thirrje opozitës që të mbështes referendumin, nëse jo si subjekt, të paktën siç i quajti ai, anëtarët e sinqertë të kësaj partie të rreshtohen në anën e perspektivës euro-atlantike. Por VMRO-DPMNE-ja mbetet në qëndrimin se pyetja është manipuluese dhe se ky është referendum privat i kryeministrit. Opozita kërkon nga Zaev që në rast se referendumi nuk ka sukses, të jep dorëheqje.

“Është turp dhe nuk mund të krahasohet referendumi i vitit 1991 me këtë referendum të shpallur tani. Atëherë të gjitha partitë politike arritën konsensus, ndërsa qytetarët vendosën për Maqedoni të pavarur. Tani nuk ka konsensus, ndërsa kërkohet nga qytetarët të vendosin për zhdukjen e Maqedonisë nga tradita, historia dhe kultura” – tha Igor Janushev, Sekretar i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së .

Me përjashtim të VMRO-DPMNE-së, të gjitha partitë parlamentare janë pro referendumit, përfshi edhe parti të cilat janë në koalicion dhe në të njëjtin grup parlamentar me partinë më të madhe opozitare.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu