Mister mbetet zhdukja e kapitenit të jahtit, që u gjet i braktisur në mes të detit në afërsi të Shëngjinit.
Për mediet turke gruaja e shqetësuar e kapitenit Sevgin Yavuz, Vesile Yavuz ka thënë se kërkon ndihmën e shtetit për gjetjen e burrit të saj.
“Unë dua ndihmë nga shteti. Unë dua që burri im të kthehet. Vajza ime po pyet për babanë e saj dhe unë nuk mund t’i them asgjë”-tha Vesile Yavuz.
Hetimi u nis për mungesën e Yavuz në varkë, që u gjet në gjendje të lirë nga peshkatarët, 12 milje larg bregdetit shqiptar të Shëngjinit.
Yavuz, jetonte në zonën e Fethiye të Muğla. Gruaja e tij, e cila është edhe 3 muajshe e gjysmë shtatzënë, Vesile Yavuz tha se burri i saj shkoi jashtë vendit 2 muaj më parë.
Ai ishte në javën e fundit të udhëtimit, pasi do të kthehej.
“Ai nuk më telefonoi përsëri. Të shtunën u gjet varka. Anija u gjet se po lundronte, por burri im nuk u gjet. Ende nuk është gjetur. Dua ndihmë nga zyrtarët e shtetit, dua burrin tim përsëri”-pohoi Vesile Yavuz.
Yavuz tha se burri i saj nuk kishte asnjë problem shëndetësor dhe mund të notonte shumë mirë. Gjithashtu ajo konfirmoi se në jaht nuk kishte asnjë lloj vjedhjeje.