Me 60 vota PËR dhe 32 të PËRMBAJTUR, deputetët e votuan nevojën për sjelljen e ndryshimeve në Ligjin për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet ngjitëse, me çka për këto ndryshime ligjore do të debatohet në Komision. Në arsyetimin e ndryshimeve, ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe tha se një pjesë e ndryshimeve kanë të bëjnë me dekretet që u sollën gjatë kohës së gjendjes së jashtëzakonshme, si dhe për rritjen e kompetencave të inspektorateve.
“Në lidhje me rritjen e kompetencave inspektorateve, më shumë inspektorateve përveç atij shtetëror dhe sanitarë, nga tani edhe inspektorati i punës, më tej edhe inspektorati për transport, i tregut, inspektoratet në nivel lokal dhe qendror për kontrolle të zbatimit dhe sanksionimit të mosrespektimit të masave preventive”, tha Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësië.
Koordinatori i grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE, Nikolla Micevski, reagoi deri te kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, pse nuk është vendosur në rend të ditës edhe propozim-ligji i tyre i cili mes tjerash parasheh edhe formimin e Komisionit për përballjen me epideminë. Ata këtë propozim e kanë dorëzuar dje së bashku me AA-AAA dhe E majta.
“Pa i minimizuar cilësitë personale të anëtarëve të komisionit ekzistues ligjvënës, qëllimi i këtij ligji është që të formohet komision i përbërë nga profesionalistë dhe sjellja e vendimeve do të kontribuojë në minimizimin dhe normalizimin e gjendjes. Nuk e di arsyen pse kjo pikë nuk u vendos sot në rend të ditës”, u shpreh Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
Kryetari i Kuvendit, Xhaferi iu përgjigj se propozimin që e kanë dorëzuar dje, nuk ka arritur që të përkthehet.
“Materiali është pranuar dje, i është dhënë sektorit për përkthim për tu përkthyer dhe supozoj se do të jetë i gatshëm deri më 29 dhe në seancën për rebalancin e buxhetit që është në atë datë, përkatësisht pasnesër, do të jetë pjesë e rendit të ditës”, potencoi Talat Xhaferi – Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Përndryshe me ndryshimet e Ligjit për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet ngjitëse do të mundësohet që të hyjnë në fuqi masat e reja – mbajtja e patjetërsueshme e maskave në të hapur, ndalesë për grupim pas orës 22 dhe kufizimi i numrit të mysafirëve në maksimum 4 persona. Njëkohësisht rriten kompetencat e shërbimeve inspektuese të cilat do t’i përforcojnë kontrollet.