E ftoi shokun për gjah dhe e vrau me çifte, zbardhet dëshmia e autorit

Altin Hazizi, 21-vjeçari që vrau me çfite 18-vjeçarin Gazmend Sllami, ka pranuar fajësinë, por ka deklaruar se vrasja ka ndodhur aksidentalisht.

Policia bërn të ditur se 21-vjeçari ka deklaruar se kishte dalë për gjah me shokun e tij, Gazmend Sllami, por një pakujdesi e momentit kishte shkaktuar vdekjen e 18- vjeçarit.

“E vrava pa dashje shokun tim. Po tentonim të mësonim armën dhe unë nuk e di se si ajo u shkrep në momentin që Gazmendi ishte përballë meje.

Kur e pashë atë të shtrirë, u largova nga paniku. Mendova që të vrisja veten. Nuk doja ta vrisja, u kërkoj të falur familjarëve të tij”, ka deklaruar pas arrestimit 21- vjeçari Hazizi, i cili u arrestua dje nga Policia e Elbasanit.

“Specialistët për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan bënë arrestimin e 21-vjeçarit Altin Hazizi, banues në fshatin Guri i Zi.

Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale dhe hetimore, Policia ka bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes. Pas marrjes dijeni se në vendin e quajtur ‘Ara e Xhemës’, shtetasi Gazmend Sllami është vrarë me armë gjahu, menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur efektivat e policisë.

Në vendngjarje grupi hetimor ka sekuestruar një gëzhojë arme gjahu dhe 5 telefona celularë. Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes janë shoqëruar 20 shtetas si të dyshuar apo që kanë dijeni për ngjarjen.

Nga veprimet e kryera dyshohet se shtetasi Altin Hazizi ta ketë vrarë nga pakujdesia, pasi kishin dalë të dy për gjueti”, bëri të ditur Policia.

Ndërkohë mbetet e paqartë motivi pse dy të rinjtë posedonin pesë telefona celularë.

Sipas shpjegimit të dhënë nga i arrestuari, mesditën e së shtunës ai e ka marrë në telefon shokun e tij, Gazmend Sllami, ku e kishte vënë në dijeni se kishte marrë në shtëpi çiften dhe po e priste në kodrinë për të gjuajtur bashkë.

Mësohet se pas telefonatës 18-vjeçari ka dalë nga banesa rreth orës 14:00, por ai nuk i ka informuar familjarët se ku po shkonte.

Pasi janë takuar, sipas 21-vjeçarit, ka qëlluar aksidentalisht duke i marrë jetën shokut të tij, transmeton “Panorama”. /albeu.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu