Nga Lëvizja Besa thonë se ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri ka dështuar në funksionin e tij në ekzekutiv. Nga kjo parti thonë se nëse LEN vjen në pushtet, “do të ndjek penalisht çdo manipulim dhe keqpërdorim të kësaj Qeverie”.
“Pas dështimit të furnizimit të tyre me libra, notimit tejet të dobët të PISA-s, por edhe uljen e fondeve për shkollat fillore, gjëra këto që do të dëmtojnë pafund arsimin fillor në vend, tallja e radhës e Ministrisë së Arsimit dhe ministrit dështak Jeton Shaqiri, vazhdon me gjoja se, ndihmat financiare që do t’iu jepen nxënësve për gjashtë muaj rresht. .Si e para, Ministria e Arsimit duhet të përgjigjen nëse këta fëmijë do të jenë nxënës vetëm gjashtë dhe duhet të ndihmohen vetëm gjashtë muaj, e më pastaj ta lejnë shkollën apo të mos marrin ushqime, apo edhe të vazhdojnë më tej. E dyta, Ministria e Arsimit dhe ministri i saj dështak Jeton Shaqiri, duhet që bashkë me shefin e tyre Artanin, të përgjigjen se përse kjo ndihmë financiare për nxënësit vjen pikërisht në prag të zgjedhjeve edhe atë fiks gjashtë muaj, pra vetëm, derisa të përfundoj procesi zgjedhor? E treta, përse Ministria këto para nuk i ndau që të sigurojë libra për nxënësit, që të njëjtët të mund të zhvillojnë procesin edukativo- arsimor si duhet, dhe jo t’ua laj kokën me akull gjoja se i ndihmon financiarisht, e nga ana tjetër, nuk është e aftë për të siguruar as librat për këto nxënës”, thuhet mes tjerash në reagimin e Lëvizjes Besa.