Osmani: VMRO pa dashje e zbuloi të vërtetën për epërsinë e BDI-së ndaj VLEN-it

Anketa e sotme nga Agjencia “Market Vision”, rezultate e së cilës u shpërndanë nga deputeti i VMRO-DPMNE-së, Nikola Micevski, vetëm e konfirmoi të vërtetën që me muaj e javë po përpiqen ta fshehin, e ajo është se BDI ka një epërsi bindëse ndaj koalicionit VLEN, pothuajse më shumë se dy me një. Kështu theksoi kandidati për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, duke shtuar se kjo është dëshmi që epërsia e BDI-së tashmë nuk mund të fshihet.

“Mëngjesin e sotëm pati debate të ndryshme se çfarë mesazhi dëshiron të japë, por ndoshta në përpjekje për të promovuar rezultatet e veta, VMRO ka harruar se po publikon një të vërtetë që përpiqen ta mbulojnë me javë e muaj, e ndoshta tashmë nuk mund ta fshehin. Një të vërtetë që tek shqiptarët këto zgjedhje po shndërrohen në një vendimmarrje plebishitare”, tha Osmani.

Ai shtoi se, edhe pse VMRO-DPMNE është përpjekur ta shfrytëzojë anketën për të promovuar rezultatet e saj, në fakt ka zbuluar të vërtetën në bllokun politik shqiptar. Megjithatë, siç potencoi Osmani, epërsia e BDI-së ndaj VLEN-it është edhe më e madhe.

“Diferenca është madje më shumë se dy me një. Aktualisht, sipas të gjitha anketave tona, tre me një dhe është e qartë se në këto zgjedhje qytetarët do të vendosin plebishitarisht”, porositi Osmani, ndërsa shtoi se BDI mbetet opsioni më i fuqishëm politik te shqiptarët, me një epërsi stabile dhe në rritje, të cilën qytetarët në zgjedhje do ta konfirmojnë me vullnetin e tyre.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu