Arjan Dyrmishi, ekspert i lartë i çështjeve të sigurisë pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në Tiranë, ka vlerësuar se situata në Ballkan është bërë më e brishtë kohët e fundit, porse kjo, sipas tij, është shtrirë edhe në tërë Evropën Lindore, shkruan “Zeri.info”.
“Në rastin e Ballkanit, në mënyrë më specifike Ballkanit Perëndimor, kjo krizë është bërë më e ndjeshme pasi përveç faktorëve të mësipërm, në këtë rajon kanë ndikuar negativisht edhe marrëdhëniet problematike ndëretnike, qeverisja e dobët dhe korrupsioni, si dhe një prirje në rritje drejt autokratizmit të udhëheqësve politikë të rajonit, të cilët në vend të kontributit për zgjidhjen e këtyre problemeve kanë zgjedhur të përfitojnë politikisht prej tyre”, ka thënë Dyrmishi për “Zërin”.
Ai ka vlerësuar se gjasat që situata të përkeqësohet janë të mëdha dhe se përshkallëzimi mund të vijë si pasojë e thellimit të mëtejshëm të kontradiktave dhe problemeve nga vetë vendet e rajonit, nga ndikimi i aktorëve dhe faktorëve të jashtëm, përfshirë këtu krizën politike dhe atë institucionale në BE, politikën e jashtme akoma të paqartë të administratës së re në SHBA.
“Që nga ardhja në pushtet e Putinit si president i Rusisë, ky ndikim ka ardhur në rritje. Përveç ndikimit të madh në Serbi, atij në Bosnjë-Hezegovinë nëpërmjet Republikës Srpska, në Mal të Zi dhe në Kosovë nëpërmjet minoritetit pro-rus, së fundmi Rusia është duke përdorur me efikasitet krizën politike që ka mbërthyer në dy vjetët e fundit Maqedoninë për ta shtuar ndikimin e saj atje, duke vënë në pikëpyetje progresin e deritanishëm në procesin e anëtarësimit të këtij vendi në NATO”, ka shtuar Dyrmishi. Edhe Ylli Pata, gazetar dhe njohës i proceseve politike në Shqipëri, ka vlerësuar se situata në Ballkan është e rrezikshme për arsye se, sipas tij, Rusia po synon ndryshimin e ekuilibrave në Bosnjë. “Ish-presidenti serb, Boris Tadiq, me të drejtë 2 muaj përpara tha se situata në Ballkan është aq e rrezikshme si në vitet ’90-a. Kjo pasi ka një ofensivë ruse për t’i ndryshuar ekuilibrat në Bosnjë, ku marrja e Srebrenicës nga serbët me dhunë në zgjedhje ishte sinjali më i frikshëm. Kjo valë po vjen poshtë deri në zemrën e trevave shqiptare”, ka deklaruar ai.
Sipas Patës një gjë e tillë është duke u hasur nga të gjitha anët, në të gjitha shtetet e Ballkanit. Porse, konsideron se Maqedonia është më e rrezikshmja sa i përket eskalimit të situatës.
“Maqedonia është më e rrezikshmja, ku Gruevski po ndërmerr një eskalim të rrezikshëm për ta moslejuar një qeverisje demokratike duke ofruar një agjendë vetëm maqedonase”, ka shtuar ai.
Andaj, Pata ka konsideruar se tërë këto rrezikojnë të mblidhen dhe të shpërthejnë një ditë.
“Lëmshi po mblidhet dhe nëse ai lëmsh do të rrotullohet kah gremina rrezikon që të marrë zjarr dhe të djegë ç’ka para. Jo rastësisht Sputnik në një nga numrat e fundit kishte montuar një hartë të Ballkanit duke marrë zjarr. Eskalimi është i mundshëm nëse në Serbi do të fitojnë terren forcat antiperëndimore, që do të ndikonin egërsisht pastaj në rajon”, ka potencuar ai.
Ndërkaq, Bashkim Selmani, njohës i çështjeve të sigurisë në Maqedoni, njëherësh profesor në universitetin e Tetovës, ka vlerësuar se kohët e fundit po vërehen probleme të shumta në gjithë Ballkanin, shkruan “Zeri.info”.
“Është fakt real që kohëve të fundit po vërehen probleme thuajse në të gjitha vendet e Gadishullit Ballkanik, nga njëra anë po jepen indikacione të disa shteteve në mënyrë të hapur, ndërsa në shtete të tjera në mënyrë të heshtur në këtë rast siç është Bullgaria dhe Greqia, por, të gjitha palët në Ballkan po bëjnë përpjekje për një komplikim të situatës së përgjithshme në Ballkan”, ka deklaruar ai në një prononcim për “Zërin”.
Sipas tij, aktualisht në Ballkan ekziston një situatë aq e brishtë sa që bën që edhe qytetarët të jenë të shqetësuar.
Selmani tutje ka thënë se Ballkani është futur në një situatë që nuk do të ishte aspak në interes të çështjes shqiptare.
Ai më tej ka konsideruar se pjesa e këtij gadishulli shumë shpejt mund të shkojë deri te përmasat fatale.
“Duke analizuar në këtë pikëpamje mund të shprehemi se Ballkani me vetëdije po futet në një situatë e cila shumë shpejt mund të marrë përmasa fatale në rast se Evropa nuk do të jetë më energjike ndaj këtyre politikave antishqiptare që po përmbys gjithçka që është arritur në Ballkan”, ka theksuar Selmani.
Ndërkohë, ka konsideruar se Rusia tashmë është bërë jo vetëm kërcënim për Ballkanin, por edhe për të gjithë njerëzimin.